Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spahajn. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga: Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko.
Ish-kryetarja Spahaj e ka nisur karrierën e saj në sistemin gjyqësor në vitin 1998. Në krye të herës, Spahaj ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Tepelenës, ndërsa në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës, post në të cilin ka shërbyer deri në momentin e shkarkimit.
Spahaj erdhi në këtë detyrë pas pezullimit të kryetarit të mëparshëm, Guximtar Boçit, i cili u akuzua për një skandal seksual. Pas hetimeve, Boçi rezultoi të ishte i pafajshëm.
Gjatë seancës dëgjimore Spaha u përball me një sërë dyshimesh mbi burimin e ligjshëm të pasurive të saj. Sipas relatores ajo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe kursimet ndër vite. KPK po ashtu gjeti disa shuma në llogari bankare që sipas relatores nuk ishin deklaruar dhe nga analiza financiare rezultoi një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.
Spaha u mbrojt duke pranuar si pakujdesi mosdeklarimet. Po ashtu ajo kërkoi që të përfshiheshin në analizë të ardhurat e bashkëshortit sipas asaj që ajo kishte deklaruar.
Në këtë pikë Spaha u duk se ishte në një situatë të ngjashme me magjistratë të tjerë dhe ngjashëm ajo fajësoi kompanitë e ndërtimit që kishin punësuar të shoqin që nuk kishin paguar sigurime dhe tatime për rroga të plota.
Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se ajo nuk kishte probleme në kriterin e figurës dhe u vlerësua pozitivisht në kriterin e profesionalizmit. KPK nuk u shpreh për 5 denoncime që kishte marrë por tha se do i shpjegonte në vendim.