Për heqjen e tabeleve në gjuhë greke në jug të vendit, ka reguar ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos. Në një intervistë për mediat greke, Katrugalos shprehet se është në kontakt me qeverinë shqiptare.
“Radha e gjuhës në tabela sipas Shqipërisë, është fillimisht shqip pastaj greqisht. Mbetet të shohim si do veprohet për tabelat. Morëm përgjigje nga Shqipëria. Na thanë se heqja e tabelave u bë për të ndryshuar radhën, fillimisht shqip, pastaj greqisht. Për çështjen e pronave të minoritarëve grek, ka vonesa”, – tha ministri i Jashtëm i Greqisë.
Katrugalos foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Në qershor do të shohim se cila do të jetë ecuria, nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të qënë vend kandidat ose jo”, – tha Katrugalos.
Vendosja e tabelave ne territorin e Bashkise Finiq u denoncua pak dite me pare. Pas denoncimit ARRSH dhe Policia hoqën tabelat.
Ligji shqiptar përcakton se në zonat minoritare, tabelat mund të jenë në gjuhën që flet minoriteti, por si gjuhë e parë duhet të jetë shqipja. Ndërkohë në të gjitha tabelat që u vendosën në jug të vendit, gjuhë e parë ishte greqishtja, pastaj shqipja.








