Disa ditë pasi Greqia u detyrua të reagonte ashpër ndaj qeverisë shqiptare për çështjen e pronave të minoritetit, vjen një tjetër përplasje. Mediat greke i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme heqjes së tabelave rrugore në jug të vendit.
ProNews shkruan se Edi Rama u ‘përkul’, duke deklaruar se tabelat do të rikthehen pasi heqja e tyre ka qenë një problem burokratik. Në fakt tabelat janë rikthyer që të martën. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Katrougalos tha se do ndërmerren veprime ligjore për të mbrojtur grekët etnikë në Shqipëri.
Madje ai paralajmëroi se në qershor Greqia mund të bllokojë integrimin e Shqipërisë nëse ajo nuk tërhiqet.
Por nëse zyrtarët e partisë Syriza po i tregojnë ‘muskujt’ Shqipërisë, nuk pritet që situata të bëhet më mirë pas zgjedhjeve në Greqi. Kyriakos Mitsotakis, lideri i Demokracisë së Re, që udhëheq sondazhet, ishte ndër ata që u tregua më i ashpër ndaj Shqipërisë në mars.
Ai tha se duhet vendosur vetoja greke nëse ka ndonjë lëvizje kundër minoritetit grek si një mesazh i qartë ndaj Shqipërisë.