Nga Andi Bushati*
Pak javë më parë, në stilin e tij të njohur, ku cinizmi dhe ironia rreken të mbulojnë të vërteta të rënda, Edi Rama u tha shqiptarëve se, një ditë, do t’u fanepsej jo vetëm në TV, por edhe kur të hapnin frigoriferin.
Pa kaluar shumë kohë, Lulzim Basha, ka prodhuar një spot, duke hapur realisht frigoriferin e një familjeje të varfër në Tiranë. Aty shihej vërtet fytyra e qeverisjes së Edi Ramës.
Përballë një Edi Rame, që i ka mbyllur veshët ndaj çdo kritike që i vjen, që tani e ka për zor të qëndrojë edhe pas dyerve të BE, që është zhytur në delirin e atij që ka monopolin e së vërtetës, duke i ironizuar edhe mediat edhe opozitën edhe presidentin edhe liderët e Kosovës edhe deputetët e Bundestagut apo ata holandezë se ia fusin kot, është tejet produktive të japësh imazhin e atij që është i vëmendshëm ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Përballë një pushteti të izoluar në kullën e tij të fildishtë dhe që prodhon të mira vetëm për një grusht të pasurish është e domosdoshme të kesh veshë për zërin e atyre që e kanë bosh firgoriferin në fund të muajit.
Por, kjo fushatë, sado e gjetur të jetë nga zanatçinjtë e kësaj pune, përmban në vetvete dy risqe të mëdha. Ato lidhen me fallcitetin e saj, si në formë ashtu edhe në përmbajtje.
Lulzim Basha e nisi atë me këmbën e gabuar.
Në një nga videot e para që shpërndau, ai tregoi se po bënte shfaqje. Duke u filmuar me një qese domate në dorë dhe duke shitur si qytetare një militante të partisë së tij, ai demonstroi se nuk i kishte veshët të hapura për qytetarët.
Nga #PotëDëgjoj, nisma degradoi në refrenin e përhershëm të politikanëve: Më dëgjoni ju në teatrin që unë luaj.
Kjo lloj mendësie rrezikon të infektojë edhe thelbin aksionit që sapo ka nisur. Basha i ka dhënë atij ngjyrat dhe theksin e një fushate elektorale. Por, ndonëse janë të shumtë ata që shpresojnë që kjo të ndodhë, askush nuk është i bindur se do të ketë një të tillë. Madje zëra kryesorë nga mazhoranca e kanë hedhur poshtë me forcë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Atëherë pyetja që shtrohet është: ç’kuptim ka një tur takimesh të shoqëruara me spote që i ngjajnë një fushate zgjedhore pa zgjedhje?
Pikërisht prej këtu lind frika që gjithë kjo lëvizje e Bashës e ka një hile.
Prej këtu ngrihet dyshimi se mos e gjitha po përdoret si mbulesa iluzive që do të maskojë një mëkat.
Në këtë rast ajo që duhet fshehur është harrimi i përbetimeve të para një viti, paqja e rivendosur me rilindjen, ulja në tryezën e Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, braktisja e rrugës radikale dhe akteve ekstreme për të luftuar regjimin.
Ndoshta për të mbuluar të gjitha këto, për t’iu shamngur përgjigjeve për kthesën e papritur, për të mos dhënë llogari se si po rikthehet në sistem pa garantuar votën, kreu i PD po i mëkon militantët e tij me mirazhin e zgjedhjeve të parakohëshme.
Dhe nëse është kështu, ky do të qe një gabim trashanik, pasi vërtet fortuna momentale do të qe shmangur, por qytetarët do të ndiheshin sërish të përdorur. Ata nuk do të ishin të dëgjuar, por thjesht të gënjyer.
Pra, nëse Lulzim Basha ka nisur një fushatë me gjetjen e duhur, por të yshtur nga qëllime të gabuara dhe të vendosur në kohë të papërshtatshme, çmimi që do të paguajë do të jetë i rëndë.
Sepse kur të dojë ta bëjë realisht, do ta ketë të pamuandur. Pasi atëherë, nëse do kërkojë të hapë sërish frigoriferin, aty do t’i shfaqet Edi Rama që nuk mposhtet dot me propagandë, ai që na shfaqet përditë në TV, me arrogancën dhe vetbesimin që i jep lidhja me botën okulte./ Lapsi.al