Gjatë vizitës në Prishtinë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro takoi të gjithë faktorët politikë për ngritjen e frymës së bashkëpunimit në emër të turizmit.
Kumbaro u prit zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me të cilin u dakordësua për krijimin e hapësirave të reja për bashkëpunime në turizëm, një koncept i përpunuar edhe në nivelin e ministrive në të dy vendet. Në mbledhjen e dy qeverive në qershor do të jetë pjesë e marrëveshjeve nisja e punës për platformën e përbashkët digjitale mes dy vendeve tona. Gjatë takimit ministrja Kumbaro u shpreh se bashkimi i të gjithë faktorëve politikë shqiptarë në rajon për një treg të hapur në të mirën e shteteve dhe ekonomive përmes promovimit të trojeve shqiptare ne Ballkan, i shërben integrimit europian.
Kumbaro zhvilloi bisedime të veçanta me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe nënkryetaren e kësaj partie Vlora Çitaku, ku shkëmbyen ide në lidhje me axhendën e gjelbër dhe u kërkua bashkëpunimi i komunave kosovare në promovimin e potencialeve turistike.
Gjithashtu bashkëpunimi në nivel komunash ishte tema e diskutimit edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që drejton partinë më të vjetër shqiptare në Kosovë. “LDK është forca politike që udhëheq rreth një të tretën e komunave nga ku mund të nisim bashkëpunime të frytshme për hartën e përbashkët turistike”, është shprehur ministrja Kumbaro.
Një event për promovimin e Prishtinës në Gjirokastër u dakordësua edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama. “Dakordësuam të bëjmë ditët e Prishtinës në Gjirokastër bashkë me kryebashkiakun e Gjirokastrës Flamur Golemi, si një organizim i pashoq për t’i njohur njerëzit me thesaret turistike që ofron kryeqendra tjetër shqiptare”, ka njoftuar Kumbaro.
Mirela Kumbaro zhvilloi vizitën në Kosovë e ftuar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, së bashku me kryetarë të bashkive shqiptare dhe turoperatorë për krijimin e hartës së përbashkët digjitale Shqipëri-Kosovë. Kjo vizitë erdhi dy javë pas pritjes së ministrave të Kosovës dhe të Maqedosnisë së Veriut në qarkun e Gjirokastrës me qëllim ngritjen e bashkëpunimit në kuadër të turizmit dhe mjedisit.
“Ështe hera e parë e një tryeze në tre nivele, përkatësisht përmes vullnetit të dy ministrive; Me bashkëpunimin e bashkive në Shqipëri e Kosovë; Me këshillat dhe nën kërkesat e turoperatorëve privatë që bëjnë një super punë për promovimin turistik këtej e andej kufirit”, është shprehur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.