Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së eurodeputetit grek me origjinë shqiptare, Fredi Beleri, për krijimin e një universiteti në gjuhën greke për minoritetin.
I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” me gazetarin Arbër Hitaj, Bido e cilësoi këtë propozim si “qesharak” dhe “barsaletë”.
“Nuk ka baza për ngritjen e këtij universiteti sepse nuk ka minoritet të mjaftueshëm,” u shpreh ai.
I pyetur për vizitën e ish-kryeministrit grek Karamanlis në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë, Bido e cilësoi si të papërshtatshme.
Ai kritikoi ligjin e vitit 2009 që lejoi krijimin e këtyre varrezave në territorin shqiptar duke thënë se varrezat kthehen herë pas here në pika pelegrinazhi.
“Fatkeqësisht, varrezat e ushtarëve grekë të ndodhura në territorin e Shqipërisë u miratuan me një ligj që për mua nuk duhej të ishte bërë në vitin 2009. Ato kthehen herë pas here në pika pelegrinazhi dhe kemi vizita me tone provokuese që nuk i ka hije marrëdhënieve shqiptaro-greke”.
Në lidhje me atë që deklaroi Beleri, deputeti soclialist theksoi se minoriteti grek në Shqipëri është shumë i vogël për të mbështetur një universitet të tillë.
“Ky propozim është qesharak dhe një barsaletë, sepse nuk ka baza për ngritjen e këtij universiteti. Minoriteti grek është shumë i vogël dhe nuk përmbush jo vetëm një universitet, por asnjë fakultet.
Nëse do të kishte një universitet në gjuhën greke, duhet të kishte studentë,” deklaroi ai, duke shtuar se edhe degët ekzistuese të gjuhës greke në universitetet e Gjirokastrës dhe Tiranës nuk kanë mjaftueshëm studentë.
Sipas Bidos, Beleri po përpiqet të faktorizohet politikisht duke shpikur çështje që nuk ekzistojnë.
“Kur nuk ka çështje që mund të ngrejë, ai shpik çështje si kjo për të treguar se Shqipëria ka probleme me të drejtat e njeriut,” tha ai, duke e akuzuar se ka vepruar gjithmonë kundër interesave të Shqipërisë.
Deputeti socialist Ardit Bido ka shigjetuar opozitën shqiptare për qëndrimin e saj mbështetës ndaj eurodeputetit Fredi Beleri, duke e cilësuar këtë si një pozicion të rrezikshëm për interesat kombëtare dhe procesin e integrimit.
“Mbështetja politike që opozita i jep sot Fredi Belerit është shqetësuese dhe tregon në të vërtetë se opozita nuk e do integrimin e Shqipërisë,” tha Bido, duke shtuar se kjo mbështetje është një aleancë e rrezikshme me nacionalizmin politik të huaj.
Ai e akuzoi opozitën se është e gatshme të bëhet palë me çdo lloj ideologjie që dëmton imazhin e vendit.
“Për të dëmtuar Shqipërinë, opozita është e gatshme të bashkëpunojë me çdo lloj nacionalizmi politik të huaj që tenton të veprojë në Shqipëri. Opozita e sotme nuk reagon ndaj kësaj gjëje dhe kjo tregon se nuk e do integrimin e Shqipërisë,” u shpreh Bido, duke e cilësuar këtë si një aleancë të rrezikshme me nacionalizmin politik të huaj.
Bido solli në vëmendje diferencën mes qëndrimeve të eurodeputetëve me origjinë shqiptare, duke krahasuar Fredi Belerin me Alba Kokalarin.
Ai theksoi se qëndrimet e tyre tregojnë qartë se kush e do dhe kush e dëmton Shqipërinë.
“Gjatë Komunitetit Politik të Integrimit të mbajtur në Tiranë, pamë diferencën që kishte ndërmjet eurodeputetit grek me origjinë nga Shqipëria dhe eurodeputetes suedeze po me origjinë nga Shqipëria, Alba Kokalari. Këtu pamë dhe diferencën mes atyre që e duan këtë vend dhe ata që e urrejnë këtë vend,” deklaroi Bido.








