Prej rreth 72 orësh një 25-vjeçar që grabiti me kallashnikov në dorë një bankë të nivelit të dytë në Tepelenë, ka ngritur “në këmbë” Policinë e Shtetit, e cila ka dështuar ta arrestojë pavarësisht se e lokalizoi pasditen e djeshme në fshatin Mamaj.
Kristo Ruçi duket se po luan “kukafshehti” me forcat “Shqiponja” dhe ato speciale “RENEA”, pasi që prej momentit kur grabiti 500 mijë lekë nga banka, vijon t’i shpëtojë arrestimit, duke u fshehur në zona të ndryshme malore të qytetit. Ditën e djeshme në ndihmë të policisë lokale mbërriti dhe një helikopter ushtarak, por kjo nuk nuk ndihmoi uniformat blu që të bëjnë krehjen e zonës si duhet, pasi 25-vjeçari është larguar sërish.
Dyshohet se Ruçi tashmë fshihet në fshatin Dukaj, ku ka kaluar nga kodrat pasi dy zonat janë krah njëra-tjetrës. Ndërkohë, babai i 25-vjecarit, i cili është në ‘arrest shtëpie’ për një tjetër ngjarje kriminale, i tha policisë se do t’i kërkonte djalit të tij të dorëzohej në polici, por deri më tani ai është ende në arrati.
Automjete të shumta policore patrullojnë në rrugën Tepelenë-Memaliaj-Dukaj, zonë ku mendohet se fshihet 25-vjecari. Kristo Ruçi, ka qenë i maskuar, armatosur dhe i veshur me rroba ushtarake dhe fakti që ka armë me vete e ka shtyrë policinë të marrë më me qetësi këtë operacion, për të shmangur hapjen e zjarrit mes tyre.