Autoritetet policore kanë arritur të lokalizojnë në fshatin Mamaj, autorin e grabitjes së bankës së nivelit të dytë në Tepelenë, ndërsa në ndihmë të policisë lokale ka mbërritur dhe një helikopter ushtarak. Pavarësisht se kontrollet vijojnë prej orësh, dhe forca të shumta të policisë po bëjnë krehjen e zonës, ende nuk është arritur të kapet 25-vjeçari.
Në ndihmë të policisë kanë shkuar edhe njësitë Shqiponja dhe RENEA, ndërsa dyshohet se 25-vjeçari mund të jetë larguaj nga fshati Memaj, për në fshatin Dukaj, nga kodrat pasi fshatrat janë krah njëri-tjetrit. Babai i 25-vjecarit, i cili është në ‘arrest shtëpie’ për një tjetër ngjarje kriminale, i tha policisë se do t’i kërkonte djalit të tij të dorëzohej në polici. Por deri më tani ai është ende në arrati. Automjete të shumta policore po patrullojnë në rrugën Tepelenë-Memaliaj-Dukaj, zonë ku mendohet se fshihet 25-vjecari.
Kristo Ruçi, ka qenë i maskuar, armatosur dhe i veshur me rroba ushtarake kur kërcënoi dje rreth orës 15:10 punonjësit e bankës duke grabitur 500 mijë lekë. Ruçi po ashtu ka qenë në kërkim për transport të lëndëve narkotike në një aksion të Jergucatit. Në aksionin e policisë në Jergucat ku dy makina po transportonin drogë, Kristo Ruçi u shpall në kërkim, ndërsa një prej familjarëve të tij është në burg për këtë akuzë.