Lulzim Basha ka dorëzuar në rrugë elektronike kërkesën për t’u regjistruar si kandidat zyrtar në garën për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Mediat raportojnë se gati në përfundim të afatit, Basha ka dërguar me e-mail kandidaturën e tij.
Më shumë se një vit nga dorëheqja, Lulzim Basha është rikthyer përmes disa takimeve me të rinjtë demokratë dhe ata që ai i ka konsideruar si “qëndrestarët” e Partisë Demokratike në Tiranë dhe qytete të tjera.
Këshilli Kombëtar i PD u mblodh këtë të hënë dhe u vendos krijimi i një Komisioni Zgjedhor prej 8 anëtarësh, të cilët do të merren me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që pritet të mbahet në 29 korrik, kur do të zgjidhet kryetari i ri. Mbledhja e Këshillit Kombëtar u bojkotua nga Bardhi dhe të dhe 16 deputetë të tjerë.
Gjergj Hani është personi tjetër që ka depozitaur kërkesë për të qenë kandidat për kreun e Partisë Demokratike.
Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, më 21 Mars 2022. Ai tha atë kohë se është dorëhequr nga udhëheqja e partisë pas përpjekjeve të pasuksesshme për ta mbajtur partinë e bashkuar, pas muajsh të tërë përparjesh të brendshme që konfrontuan Bashën me Sali Berishën.
“Kam vendosur të bëj një hap pas dhe të jap dorëheqjen nga detyra,” tha Basha pas takimit me kryesinë e PD-së, Grupin Parlamentar të kësaj partie dhe kolegjin e kryetarëve të PD-së.
“Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm [kryeministri i Shqipërisë] Edi Rama dhe klika e tij”, tha Basha.









