Nga Dritan Hila
Është e disata herë që mazhoranca nervozohet nga sjellja politike e Ilir Metës dhe kërkon që ai t’i përmbahet kornizës së postit dhe po kaq herë Meta u kundërpërgjigjet me iniciativa të tjera.
Kulmi i reagimit politik të Metës ishte mitingu përpara shpalljes së “lockdown-it” të marsit. Ngjante se zhveshja e shpatave nga milli që mazhoranca kishte bërë me komisionin Manja, do të përfundonte në përplasje. Nuk ndodhi pasi nuk ishte vetëm në dorë të socialistëve shkarkimi i presidentit, por edhe të Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk është formuar. Ndaj për të shmangur një disfatë institucionale, preferuan tërheqjen duke mos arritur rezultatin e kërkuar: trembjen e Metës. Por të paktën tërheqja nuk u bë shumë e zhurmshme.
Pas kësaj raporti dypalësh ka qenë i pritshëm: Meta nuk firmos shumicën e ligjeve, ndërsa PS-ja kërcënon nëpërmjet Taulant Ballës. Të paktën ta kërcënonte Tom Doshi, që të shpresonin se Meta do të trembej.
Por me afrimin e zgjedhjeve situata po rëndohet. Meta e ka treguar haptas që do të jetë pjesë e saj. Me një opozitë e cila e ndjen mungesën e lidershipit, nuk është çudi që ai të dalë në mitingjet elektorale. Këtë nuk ka mundësi t’ia ndalojë askush. Punë e madhe se ka një shkelje të hapur të statusit të tij institucional, pasi për Metën kjo është luftë për jetë a vdekje me kundërshtarët që ka përballë, por është një rast i mirë për të qenë lider i opozitës.
Kjo mund t’i interesojë edhe socialistëve si një argument elektoral më shumë, që opozita që kanë përballë nuk respekton institucionet.
Ky hap do të sjellë një zhbalancim total të pushteteve ku as formalisht nuk do të kemi një president mbi palët. Por mesa duket të gjithë e kanë pranuar këtë sfidë. Fundja jemi mësuar. As ndërkombëtarëve nuk do t’u bëjë përshtypje pasi fushata promovuese për turizmin që bën këto muaj, u ka treguar që në këtë vend populli ka punët e veta dhe politika të vetat.
Vetëm se të gjithë duhet të jemi të qartë që rishtas kjo është një përplasje mes Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe Sali Berishës; është një përplasje ku nuk do të lexojë kush programet dhe as çështjet e integrimit, por për interesat ekonomike apo vendet e punës, ndaj ka për të qenë e ashpër. Se po të ishte për Bashën dhe Kryemadhin, Rama as merrte mundimin të dilte në fushatë./dritare.net/