Sot do të jetë mbledhje e këshillit bashkiak të Himarës, për herë të parë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro. Këshilli bashkiak pritet të caktojë njërin prej dy nënkryetarëve të bashkisë në detyrën e kryetarit. Këshilli do të zgjedhë mes Pervin Gjikurisë dhe Blerina Balës.
Argjiroja.net mëson se Bala ka gjasa më shumë të caktohet nga këshilltarët për drejtimin e përkohshëm të Bashkisë Himarë. Emrin e saj e përmendi dy ditë më parë si pasuese e Jorgo Goros edhe gazeta greke “Kathimerini”.
Bala do të qëndrojë në krye të Himarës derisa të mbahen zgjedhjet e reja pas disa muajsh në vjeshtë. Jo zyrtarisht mësohet se PS mund të kandidojë në Himarë ish-deputetin e LSI-së, Vangjel Tavo. Ky i fundit prej disa ditësh është emëruar nga Rama si prefekt i qarkut Vlorë.
Jorgo Goro u vu në pranga ditën e shtunë më datë 23 mars. Ai akuzohet për tjetërsim pronash, rreth 10 mijë hektarë. Prej kohësh është përfolur për një kryetar tjetër në bashkinë e Himarës, pasi kandidati që fitoi më 14 maj, Fredi Beleri ndodhet në burg, ndërsa Goro ushtronte detyrën ende megjithëse humbi zgjedhjet. ©Argjiroja.net