Në mbështetje të mbrojtjes sociale, pr/buxheti i 2019 parashikon një fond prej 20.5 miliard lekë ku 4.7 miliard lekë do të shkojnë në mbështetje të ndihmës ekonomike.
“Do të vijojmë të financojmë programet e mbrojtjes sociale në vlerën 20.5 miliard lekë ku 4.7 miliard lekë do të jenë mbështetje për skemën e ndihmës ekonomike e cila sot është një skemë më eficente, garanton transparencë dhe barazi sociale dhe gjithëpërfshirje duke shmangur abuzivitetin”, – u shpreh Manastirliu.
Ministrja tha se përmes skemës së re të digjitalizuar, shmangen burokracitë dhe vërtetësia e familjeve që aplikojnë verifikohen nga 6 sisteme.
“Skema e re është e digjitalizuar ku çdo qytetar, çdo familje që është në vështirësi ekonomike mund të aplikojë pa pasur nevojë për një mal dokumentesh apo rrugë burokratike që kishte më parë për të aplikuar në skemën e ndihmës ekonomike. Sot çdo qytetar apo familje në vështirësi vetëm nëpërmjet kartës së identitetit mund të aplikojë në këtë skemë. Ajo që ndodh sot është që sistemi digjital ofron një verifikim në 6 sisteme të tjera për vërtetësinë e deklarimit të familjeve që aplikojnë në këtë skemë”, -tha ajo.
Manastirliu ndau shifra lidhur me numrin e aplikimeve nga ku tha se janë 64 mijë familje vetë në muajin tetor ku 57 mijë prej tyre kanë përfituar direkt nga programi elektronik dhe 4 mijë nga skema e mbështetjes së bashkive.
“Nga rreth 64 mijë aplikime që rezultojnë të jenë kryer përgjatë tetorit përsa përket aplikimeve për ndihmën ekonomike, janë 57 mijë qytetarë që kanë përfituar direkt nga programi elektronik dhe rreth 4 mijë qytetarë që përftojnë nëpërmjet skemës së 6% që ne i japim bashkive për të përfshirë më shumë familje që nuk përfshihen në sistemin e pikëzimit por vetë bashkitë nëpërmjet kritereve që vendosin ato përfshijnë në mbulimin e skemës së ndihmës ekonomike”, -sqaroi më tej ajo.
Sipas ministres, skema e ndihmës ekonomike nuk mund të jetë më skema klasike të mbajtur të familjeve në varfëri por sipas saj është një skemë që i jepet familjes në një moment të caktuar vështirësie ekonomike dhe sociale, ne jemi gati për a ngritur në një nivel tjetër ketë familje, pasi çdo anëtar në familje në moshë pune të shkojë drejt aftësimit profesional, drejt punësimit.
Manastirliu e konsideroi një strategji për të dalë nga skema e ndihmës ekonomike për ato familje që kanë anëtarë në moshë pune që përmes aftësimit profesional të shkojnë drejt punësimit.