Vite arrestimesh dhe konfiskimesh e kanë dobësuar mafian siçiliane siç tregoi edhe aksioni i fundit i Anti-mafias së Palermos
Në një nga bisedat telefonike që çoi karabinierët e Palermos në arrestimin e 181 personave të akuzuar për organizatë mafioze, bosi i lagjes “Brancaccio”, Giancarlo Romano, i vrarë një vit më parë në moshën 37-vjeçare, dëgjohet duke pranuar se niveli i mafiozëve është tashmë i ulët.
“Sot arrestojnë dikë dhe ai pendohet; arrestojnë një tjetër… mizerje, nivel i ulët, po për çfarë po flasim?”, thotë ai. Nuk është rastësi që policia e shpërndau pikërisht atë bisedë mes mijërave të përgjuarave vitet e fundit.
Objektivi i hetuesve ishte të tregonin se puna e bërë nga prokuroria antimafia ka lodhur “Cosa Nostra”-n, mafien siçiliane, e cila tashmë është në rënie. Edhe para arrestimeve të së martës të javës që po lëmë pas, mafia siçiliane nuk kishte qenë kurrë kaq e dobët.
Gjatë 20 viteve të fundit, forcat e rendit kanë arrestuar mbi pesë mijë persona të akuzuar si pjesë e organizatës në nivele të ndryshme, kanë sekuestruar tonelata drogë ilegale dhe çmontuan sistemet e trafikut dhe zhvatjes.
Nuk do të thotë që mafia italiane është zhdukur apo është e padëmshme, vërtet arrestimet tregojnë se përpjekjet për rindërtimin e “Cosa Nostra”-s janë të vazhdueshme, por struktura e sotme organizative nuk ka të bëjë fare me atë të dominimit të Korleonezëve (emri i një prej familjeve mafioze dhe fshati ku ndodhet në Sicili) të Totò Riina-s. Biznesi dhe perspektivat tashmë kanë ndryshuar.
Hetimet kanë konfirmuar se nuk ka më një strukturë nga lart-poshtë – e njohur si Kupola – me një drejtues që komandon të gjitha bandat në ishull. Deri në fillim të vitit 1993 kishte më shumë se një komision mafioz, “Cupole”.
Secili komision krahinor përfaqësonte banda të ndryshme, emri që u jepej grupeve të organizuara të mafiozëve në krahina të ndryshme. Komisioni i provincës së Palermos ishte më i rëndësishmi: kryetarët e të gjitha familjeve ishin pjesë e tij.
Drejtuesit e rretheve janë përfaqësuesit e zgjedhur të tre familjeve që veprojnë në zonat kufizuese me njëra-tjetrën që përbëjnë rrethin.
Në fakt, të gjitha komisionet u mblodhën për të ratifikuar vendimet e marra tashmë nga Korleonezët, të cilët, me luftën mafioze të fillimit të viteve 1980, kishin eliminuar bandat rivale.
Totò Riina dhe Korleonezët dominonin komisionin provincial të Palermos dhe kishin vendosur përfaqësues besnikë ndaj tyre në krye të komisioneve të tjera provinciale.
Pas arrestimit të Riinës, ajo strukturë hierarkike nuk ekzistonte më ose nëse ekzistonte, në çdo rast, nuk u takua më as gjatë mosveprimit të Matteo Messina Denaros, i konsideruar si bosi i fundit i vërtetë i mafies siciliane.
Që atëherë, “Cosa Nostra” është detyruar të zvogëlojë ndikimin e saj në shumë sektorë, përfshirë trafikimin e substancave të paligjshme.
Sidomos midis viteve 1970 dhe fundit të viteve 1980, “Cosa Nostra” kishte qenë në qendër të trafikut ndërkombëtar: dozat e drogës u përgatitën në dhjetëra laboratorë klandestinë të shpërndara në Sicili dhe u dërguan në shumë vende, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mafia kontrollonte rreth 30 për qind të trafikut të drogës.
Por rritja e organizatës tjetër mafioze “Ndrangheta” (në rajonin e Kalabrisë), bëri që “Cosa Nostra” të lëshonte rrugën.
Menaxhimi i shpërndarjes së drogës në Sicili, që dikur konsiderohej një çështje dytësore, pothuajse një problem, tani është bërë i rëndësishëm.
Gino Mineo, 73 vjeç, një anëtar historik i klanit “Bagheria”, i arrestuar të hënën, tha në telefon se nuk i përbuzte fitimet e marra nga trafiku i drogës duke u distancuar nga ai lloj biznesi.
“Kujdes se sot, nesër, e shikon, nuk jam ngatërruar asnjëherë me këto gjëra, nuk jam futur në to, nuk është se dua të baltosem”, tha ai në telefon. “Ti duhet t’i thuash: ‘Lër diçka për vendin, për të krishterët, thuaji se kanë nevojë’”.
Romano ka shfaqur gjithmonë njëfarë zhgënjimi në krahasimin e punëve të sotme me lavditë mafioze të së shkuarës.
“Duhet të jetosh dhe sakrifikosh me copa hashashi… kështu kemi përfunduar ne? Po ata (njerëzit) të vjetrit, që fatkeqësisht përfunduan në burg gjithë jetën, por që flisnin për copat e hashashit? Kjo do të thotë, se nëse do t’ju duhej të mbanin një fjalim për ‘tymin’, e bënin sepse duhej të mbërrinte një anije plot me ‘tym’!. Nëse flisni me ata që bëjnë biznes, ata të qeshin në fytyrë. Por a është ky biznes? Ne jemi shumë poshtë, jemi në tokë djema. Ne mendojmë se e bëjmë biznes, por sot janë të tjerë që bëjnë. Unë them, ishim ne të parët, sot e bëjnë të tjerët: sot, jemi ne ciganët”.
Roli i ri, disi modest, reflektohet edhe në menaxhimin e parave të mbrojtjes. Gjithnjë e më pak janë tregtarët që paguajnë paratë e mbrojtjes (gjobat) dhe për këtë mafia është detyruar të përshtatë kërkesat dhe kontrollin e saj.
Mes të arrestuarve të hënën është edhe Alfonso Di Cara, i cilësuar nga prokuroria si “pionier i një metode në dukje dashamirëse dhe pajtuese zbatimi që synon të anashkalojë, aty ku është e mundur, klishenë e frikësimit të bujshëm, duke gjeneruar pakënaqësi dhe hetime”.
Tashmë në fillim të viteve 1910, ishte përhapur mënyra e pagesës së parave të mbrojtjes me këste, një metodë e paimagjinueshme në vitet 1990.
Gabimi që lejoi hetuesit të gjurmonin emrat e filialeve të rinj, është një tjetër simptomë e përafrimit me të cilin menaxhohen sot komunikimet e brendshme, që ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e mafies.
Megjithëse klanet ishin pajisur me një sistem teknologjik mjaft të avancuar të koduar, në fund rrjeti i komunikimit u zbulua, sepse dy mafiozë – Mimmo Lapadula dhe Ivan Boracchia – filluan të kopjojnë të gjitha kontaktet dhe t’i lexojnë ato me zë të lartë.
Në këtë mënyrë, hetuesit që po i përgjonin në një telefon tjetër inteligjent, arritën të identifikonin të gjithë bashkëpunëtorët: një nivel vëmendjeje shumë i ndryshëm nga të ashtuquajturat “pizzini”, pra bileta letre ose pusulla të përdorura për të komunikuar nga Bernardo Provenzano.