Dinamo ka arritur të sigurojë kalimin në “Final 4” matematikisht si edhe është kualifikuar për herë të dytë radhazi në Kupat e Europës. Barazimi i fundit në kampionat ndaj Vorës, ka zgjidhur gjithçka për skuadrën e Dajës, pa pasur nevojë që të luajë gjithçka në ndeshjen derbi ndaj Partizanit.
Takimi i fundit i kampionatit, do të luhet ditën e diel, aty ku Dinamo do të “udhëtojë” në drejtim të stadiumit “Arena e Demave”, për të luajtur derbin e fundit për këtë sezon futbollistik, duke qenë se as Tirana dhe as Partizani, nuk janë të kualifikuara për në “Final 4” apo në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Aktualisht, skuadra e Dajës ka siguruar vendin e katërt në klasifikim me 4 pikë më shumë se Partizani dhe pavarësisht rezultatit që do të ketë ndeshja e fundit, vendi do të mbetet i paprekur ndërkohë që ky takim mund t’i shërbejë Dajës jo pak. Në datën 13, Dinamo ka finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias dhe i duhet që të ketë gjendjen e skuadrës sa më optimale për këtë takim, ku natyrisht synimi i vetëm është fitimi i një trofeu që do të shpëtonte deri diku investimet që klubi ka bërë këtë sezon dhe për të përsëritur sezonin e shkuar.
GJENDJA E SKUADRËS- Në takimin ndaj Vorës, Bruno Dita u detyrua të largohej nga fusha i dëmtuar për shkak të një shkeljeje që pësoi ndërkohë që gjendja e tij nuk duket alarmante. Mesfushori që te Dinamo po luan si mbrojtës, me shumë gjasa do të jetë pushim në takimin ndaj Partizanit, për t’u rikuperuar sa më shpejt për takimin e 13 majit ndaj Egnatias. Ndërkohë, probleme ka edhe për Mustafan dhe me shumë gjasa, edhe sulmuesi do të jetë jashtë për Partizanin duke shpresuar që të kthehet ndërkohë që situata duket pak më e rëndë për Teikseirën. Mbrojtësi portugez ishte kthyer në titullar te Dinamo dhe po bënte paraqitje shumë të mira por një dëmtim ndaj Vllaznisë dhe më pas një dëmtim tjetër në pulpë, kanë bërë që të humbasë disa ndeshje dhe është në dyshime të mëdha edhe për takimin e datës 13 maj, ku do të caktohet fituesi i Kupës së Shqipërisë për këtë sezon.
KARTONËT- Ndaj Partizanit, do të mungojë edhe Ajodeji Malomo, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve megjithatë për trajnerin Daja ka alternativa të shumta, sidomos për faktin se ndeshja me Partiznain, nuk ndikon në asgjë. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ka ndëshkime apo penalizime duke qenë e mbyllur sezonin e rregullt në këtë mënyrë. Malomo ka qenë ndër lojtarët më të në formë të momentit dhe golashënuesi më i mirë që nga janari së bashku me Dejvi Bregun. Megjithatë, objektiv i Dinamos tashmë mbetet Kupa si edhe paraqitje dinjitoze në “Final 4”, megjithëse titulli është praktikisht i pamundur.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









