Katër persona janë arrestuar nga Prokuroria e Tiranës për publikimin e rrogave dhe të dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë.
Në pranga kanë rënë dy specialistë të IT të punësuar te AKSHI dhe që ushtrojnë detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Të arrestuar janë edhe dy punonjës të bizneseve private që blenë të dhënat personale që ua shitën dy specialistët e IT.
Në pranga përfunduan dy punonjës të IT te Drejtoria e Tatimeve, Andi Agaraj dhe Eni Qirjako, si dhe 2 përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, të cilët blenë këto të dhëna.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, tha se specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako mori pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj, duke qenë se të dy kishin mundësi të kishin akses te të dhënat e databazës si të punësuar që ishin.
Më pas Agaraj i ka shitur këto të dhëna private te 2 përmbaruesit privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete sociale.