Forumi për Aeroportin e Gjirokastrës i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, për t’i kërkuar angazhimin e tij dhe të qeverisë për rivënien në punë të Aeroportit të Gjirokastrës. Në letër theksohet se bëhet fjalë për një aeroport për qëllime sportive dhe turistike dhe se investimi që kërkohet është i përballueshëm për buxhetin e shtetit. “Në ditët e sotme, kur turizmi, po bëhet një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë rajonale riaktivizimi i këtij aeroporti do të ishte një vlerë e shtuar për rajonin pasi ky aeroport mund ti shërbente si lëvizjes së turistëve individualë me avionet e tyre privat por edhe lëvizjes të grupeve të organizuara siç janë aeroklubet, por edhe fluturimeve carter me avion të vegjël, pra do të zhvillohet një degë e re e turizmit, Avioturizmi”, thuhet ndër të tjera në letër, të cilën e gjeni të plotë më poshtë bashkë me disa foto të projektit se si mund të transformohet ky aeroport.
I nderuar Z.Kryeministër !
Duke ju shprehur konsidertatën e lartë për punën tuaj dhe duke ju falenderuar për politikat zhvillimore në qytetin e Gjirokastrës në fushën e turizmit, ne anëtarët e Forumit për Aeroportin e Gjirokastrës, duke parë zhvillimet dhe projektet inovative të cilat janë marr në konsideratë nga ana juaj dhe zhvillimet të cilat kanë sjell projektet nga qeveria si në qytetin tonë por edhe në rang qarku, kërkojmë prej jush mbështetje për nisëm disa vjecare për riaktivizimin e Aeroportit të Gjirokastrës për fluturime sportive dhe turistike.
Në ditët e sotme, kur turizmi, po bëhet një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë rajonale riaktivizimi i këtij aeroporti do të ishte një vlerë e shtuar për rajonin pasi ky aeroport mund ti shërbente si lëvizjes së turistëve individualë me avionet e tyre privat por edhe lëvizjes të grupeve të organizuara siç janë aeroklubet, por edhe fluturimeve carter me avion të vegjël, pra do të zhvillohet një degë e re e turizmit, Avioturizmi.
Ky aeroport historik ka funksionuar prej viteve ’30 deri në vitin 1997. Sot territori i aeroportit është në pronësi të Bashkisë Gjirokastër. Ka një Pistë bari me përmasa 1250m x 100 m si dhe një zonë parkimi për avione 300 x 80 m .
Me riaktivizimin e këtij aeroporti aeroklubet e vendeve të ndryshme rajonale dhe europiane mund të shtojnë në stacionet e tyre të vizitave turistike Gjirokastrën me gjithë Rajonin jugor të Shqipërisë.
Zhvillimi i aeroportit dhe promovimi i sporteve ajrore dhe fluturimit rekreativ, synon të sjellë për të gjitha kategorite e sporteve ajrore në garat kombëtare si dhe të promovojë aktivitetet në nivel profesional dhe amator.
1.Të promovojë sportet ajrore dhe aktivitetet e tjera aeronautike në qarkun e Gjirokastërs, si dhe të promovojë brenda dhe jashtë vendit përmes aseteve të saj natyrore si një potencial i madh për të organizuar dhe pritur garat ndërkombëtare dhe ngjarjet e tjera aeronautike.
Të edukojë të rinjtë përmes sportit në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe miqësisë dhe të zhvillojë aftësitë profesionale aeronautike për të rinjtë.
Të sigurojë qasje adekuate në hapësirën ajrore për të gjithë ata që dëshirojnë të fluturojnë.
Sot në Europë janë mbi 60.000 avionë të vegjël sportivo – turistik , ultra të lehtë, të liçensuar të cilët po i japin ritëm avioturizmit . Gjirokastra me pozicion gjeografik që ka në mes të qëndrave Pasuri UNESCO Butrint -Gjirokastër -Berat por edhe në qendër të rrugëve Rajonale dhe Ndërkombëtare e bën të aksesueshme për Toure të ndryshme turistike. Aeroporti gjendet vetëm 1,5 km nga qëndra e qytetit të Gjirokastrës, 50 km nga Saranda, 80 km nga Janina , 60 km nga Përmeti , 36 km nga Tepelena, pra falë edhe afërsisë me këto qendra , riaktivizimi i tij do të gjeneronte mundësi për të rritur numrin e turistëve cilësorë në rajonin jugor duke përdorur edhe fluturime carter me avione me kapacitet deri njëzet vende.
Pista e aeroportit të Gjirokastrës si fillim me ndërhyrje rehabilituese me kosto të ulët riparimi dhe menaxhimi, mund të përdoret edhe si Pistë bari për ulje /ngritje të avionëve. Në një të ardhme për ta pasur aeroportin turistiko – sportiv me përdorim gjithë vjetor mund të shtrohet pista me asfalt dhe të ndërtohet një hangar i cili do të shërbejë për parkimin e avionëve për periudhat afatgjata. Për ta pasur aktiv nga pikpamja ekonomike në një të ardhme mund të organizohen edhe kurse /shkolla fluturimi nëpërmet subjekteve të liçensuara për të dhënë patenta për avionët ultra të lehtë apo helikopterët sportivë. Ky aeroport fushor funksional mund të shërbejë edhe për Emergjencat Civile Rajonale.
Për ta riaktivizuar këtë aeroport për qëllime turistike dhe sportive nevojitet një buxhet jo i madh i cili do të shërbente për :
– Rehabilitimin e pistës, e cila nga mos mirëmbajtja shumëvjeçare është degraduar në disa vende. Kohët e fundit Bashkia me mundësitë e saj ka realizuar shumë punime mirëmbajtje duke mundësuar edhe një provë ulje vitin që kaloi për katër avione sportiv si edhe mjete fluturuese të lehta.
– Riparimin e kanaleve të drenazhimit të pistës
– Riparime bazilare të dy ndërtesave ekzistuese të aerodromit ose ndërtimi i ambjenteve të reja me parafabrikat.
– Riparimi i kullës së navigimit ose ndërtimi i një kulle të re.
– Realizimin e sistemit të sinjalizimit të pistës.
– Ndërtimi i Hangareve
– Rrethimi i ambienteve
Rivendosja e këtij aerodromi në punë mund të shoqërohet edhe me Festa të përvitshme ku do të ketë fluturime sportive për të sjellë shumë turistë në Gjirokastër dhe rajon nga brenda dhe jashtë vendit.
Për të filluar këtë projekt qysh Sezonin e ardhshëm Turistik nevojitet Certifikimi prej:
-Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë – Autoriteti i Aviacionit Civil – Tiranë
Me besimin se do të merrni në konsideratë kërkesën tonë dhe do të kemi mbështetjen Tuaj ju falenderojmë paraprakisht.
Me konsideratë !
Anetaret e Forumit per Aeroportin Turistiko-Sportiv te Gjirokastres
Agjensite Turistike qe operojne ne Gjirokaster.