Gjirokastra po kalon një situatë apokaliptike. Një pallat tetë katësh dhe tre objekte të tjera rrezikojnë të shemben. Ka dëmtime të mëdha në rrugët e lagjes ‘Kodra e Shtufit’ dhe dëme të tjera materiale. 24 familje janë evakuuar që prej mbrëmjes së djeshme, të kërcënuar nga rrëshqitjet e tokës. Por kjo katastrofë përtej dimensionit natyror ka edhe përgjegjësi njerëzore. Është fjala për batërdinë që është bërë me ndërtime vend e pavend në Gjirokastër për më shumë se një dekadë, aq më tepër në një lagje që nga vetë përbërja me shtuf do të duhej të mos abuzohej me ndërtimet. ‘Kodra e Shtufit’ në Gjirokastër është simboli i makutërisë për të zaptuar çdo pëllëmbë toke, duke shkelur në mënyrë flagrante çdo ligj të natyrës, duke mbyllur sytë përballë çdo studimi gjeologjik dhe duke mos respektuar asnjë parametër urbanistik. Bumi i ndërtimeve në Gjirokastër, si në të gjithë Shqipërinë në fakt, nis në vitet 2000 dhe ka vazhuar për më shumë se një dekadë.
Sot ne po përballemi me zemërimin e natyrës për atë që i kemi bërë asaj në gjithë këto vite. Zamira Rami është personi që nuk ka faj në këtë histori. Banorët mund t’i kërkojnë asaj përgjegjesi vetëm për menaxhimin e situatës emergjente, për aq sa Bashkia Gjirokastër ka kapacitete, ndërsa llogari për masakrën urbane të qytetit të gurtë i duhet kërkuar ish-kryebashkiakut Flamur Bime. Është fjala për së paku përgjegjësi morale, pasi përgjegjesi të tjera nuk jemi ne që mund t’i shpallim. Kanë përgjegjësi natyrisht edhe qeveritë, majtas e djathtas, që ndër vite kanë lejuar masakrën me ndërtime në Gjirokastër. Diku një shkelje syri, diku interesa elektorale e patjetër interesa biznesi dhe sot Gjirokastra po përballet me një katastrofë të paralajmëruar. Kjo që po ndodh në Gjirokastër nuk është e rastësishme. Kur zullumi trashet vjen një moment që këputet. Dhe siç thotë Edi Rama, me siguri s’kemi parë asgjë akoma…
©ArgjiroLajm.net









