Nga Endri Tafani
Ka plot njerëz që e përdorin termin “komunist” pa e patur fare idenë çdo të thotë apo çfarë është ideologjia komuniste.
Sipas teorise marksiste, ka një konflikt në shpërndarjen e pasurisë që prodhon njerezimi, bota është e ndarë në klasa nga njëra anë kapitalistet dhe nga krahu tjetër proletaret dhe pronësia mbi mjetet e prodhimit është baza e konfliktit të luftës së klasave.
Kapitalistet kanë kontrollin e fabrikave, uzinave, tokës, etj dhe duke patur këtë pushtet ekonomik kanë dhe pushtet politik që e përdorin kundër klasës puntore.
Në këtë mënyrë kapitalistet mbajnë shumicën dërrmuese të fitimit e pasurohen gjithnjë e më tepër ndërkohë që punëtorët ngelin të varfër.
Që të zgjidhet ky konflikt marksistet propozojnë që pronësia mbi mjetet e prodhimit nuk duhet të jetë private por shtetërore. Shteti duhet të jetë pronari i madh dhe ai të bëjë shpërndarjen e pasurisë.
Tani që besoj është e qartë ideologjia klasike komuniste, si mund të quhet kryeministri Rama komunist? Në bazë të cilës logjikë?
Edhe ato pak pasuri publike që kishin ngelur kur mori stafetën nga qeverisja e PD-se tashmë iu dhuruan oligarkeve. Praktikisht qeverisja Rama ka rekordin e heqjes dorë të pronësisë së shtetit nga çdo aset publik. Praktikisht qeverisja Rama është më e djathtë sesa PD.
Po per asistencën sociale që iu hoq nga qeverisja Rama me dhjetëra mijëra vetëve? Prapë me e djathtë sesa PD. Po me rrogat e administratës që nuk janë rritur prej vitesh? Prapë me e djathtë se PD. Po me favorizimin në taksa të biznesit të madh ndaj punëmarrësve? Prapë me e djathtë se PD.
Atëherë në bazë të kujt logjike Rama qenka komunist??
Nëse mendohet që PS ka termin socialist mos harrojmë që dhe partia e Hitlerit quhej Nacional-Socialiste.
Nëse mendohet që një pjesë e PSSH janë pasardhës apo ish- nomenklaturë e PPSH atëherë nuk duhet harruar që dhe fashisti Musolini ishte dikur pjesë e PS italiane, bile dhe kryeredaktor i gazetës së Partisë Socialiste italiane.
Mos duhet t’i quajmë dhe Hitleri dhe Musolinin komunistë, sipas kësaj logjike idiote?
Nuk ka asnjë gjë komuniste në qeverisjen Rama, përkundrazi, Qeverisja “Rama” është qeverisja më e djathtë që ka patur shteti shqiptar këto 30 vitet e fundit. FAKT.
Me aftësinë e marketingut politik Rama mori kontrollin e një partie e cila mbartte disa vlera të së majtës dhe tashmë e ka kthyer në një masë amorfe, pa asnjë ideologji të cilën e mban bashkë vetëm një ide e një të kaluare të përbashkët, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore kur u formua partia e deri në 1990, për disa e lavdishme dhe për disa e mirë.
Rama këtë e di fare mirë prandaj është i kujdesshëm të mos harrojë 29 Nëntorin e partizaneve, 5 Majin e Qemal Stafes, 16 Shtatorin e Pezës. E gjitha kjo për të dhënë imazhin që ky është “i yni”. E gjitha kjo një marketing politik sepse ndërsa “nderon” Qemal Stafen duke ngritur dhe fondacion me emrin e tij, nga krahu tjetër zhduk stadiumin publik Qemal Stafa duke ia dhuruar privatit e duke i zhdukur dhe emrin.
Ironikisht të ishte gjallë Qemali Stafa të parët persona që do luftonte me armë në dorë derisa t’i zhdukte nga faqja e dheut, do ishin ata tipat e fondacionit “Qemal Stafa”.
Ndërsa për PS është e qartë që tashmë e ka humbur fillin dhe e vetmja gjë që i mban bashkë është evokimi i të kaluarës, situata nuk duket e mirë dhe nga krahu tjetër.
Është një pjesë e madhe e elektoratit te PD qe e vetmja gjë që e mban pas PD është evokimi i të kaluarës, por tashmë në krahun e kundërt.
Njëlloj si elektorati i PS, edhe atyre u ka ngelur mendja tek Lufta e Dytë Botërore dhe periudha deri në 1990, disa duke e konsideruar si tmerr apo shumë të keqe.
Përdorja e termit komunist per kundërshtarin politik PS është reminishence e saj.
Dhe ndërkohë që elektorati i PD e quan veten të djathtë, qeverisja e PD ndërkohë ka qenë edhe më e majtë sesa PS.
Duke filluar me 7501 e duke vazhduar me rritjen e investimeve publike, rritjen e asistencës sociale, të rrogave, subvencioneve shtetërore etj.
Në të dy rreshtimet politike kemi nje shumicë derrmuese militantësh që u ka ndaluar ora në 1990, e për fat të keq u mungon totalisht ideologjia, por ajo që nuk u mungon është urrejtja për kundërshtarin politik.
Ndërkohë në krye të Partive vijnë ca njerëz që e dinë mirë këtë gjë dhe ndërsa marketingun në Parti e bëjnë duke evoluar të kaluarën e përbashkët, kur vijnë në pushtet veprojnë sipas qejfit të tyre.
Kur janë në pushtet elektorati ngel i kënaqur me dekorimin e “komunistit” apo “antikomunistit” të radhës. Në këtë mënyrë arrijnë fitore… për vitet para ‘90. Kjo duhet të marrë fund./ TemA