Ksamili duket se do të jetë në një betejë të vështirë me mbeturinat këtë sezon turistik. Emisioni “BOOM” solli mbrëmjen e sotme një vëzhgim të realizuar në qershor të këtij viti, kohë kur dukshëm shumë pushues dhe turistë kishin mësyrë plazhet. Pamjet flasin vetë, jo vetëm kontenierë të mbimbushur kapicë me mbeturina por edhe zona përreth tyre. Bizneset kërkojnë marrjen e masave nga bashkia, duke u shprehur se po u ikin pushuesit pasi nuk rrinë dot jo vetëm nga pamja e shëmtuar por edhe era e tmerrshme që kundërmon.
“Kemi problem me mbeturinat që i kemi kaq pranë, na prishin goxha punë. Turistët nuk afrohen vetëm prej mbeturinave që kemi. Kërkojmë nga bashkia të na ndihmojë dhe të na i largojë këto koshat e plehrave, ti largojë larg bizneseve”.
“Të lënë kazane për aq biznese sa i përkasin kësaj rruge, nuk është kjo rrugë për të gjithë Ksamilin. Këtu në orën 12:00 të natës vinë furgonat pa fund që shkarkohen.Vinë turistët deri atje përtej dhe kthehen mbrapa, nuk afrohen nga pisllëku dhe mushkonjat. Është vetëm infeksion”.
“Të sjellë higjenën këtu tek koshat, nëse e pranon higjena që ne tatohemi. Këtu vinë dhe hedhin mbeturinat nga Pema e Thatë që është fundi i Ksamilit deri tek në skaj të Fshatit të Vjetër. Kam shkuar deri në bashki këtë fund. Marr në telefon atë që pastron çdo ditë, as telefonin nuk ma ngrë”.
“Plehrat na kanë prishur punë, u vjen era. Ja tek e kemi ndërtesën, njerëzit dalin në dritare dhe ankohen, njerëzit po na ikin nga dhomat”.