Nga Shpëtim Nazarko
Pa hë, dil e kundërshtoje Kryeministrin, më thoshte një lexues i Konicës, pas një videoje që hodha para tri ditësh dhe arriti në gati gjysmë milionë njerëzi. Në video, thashë se ministri grek, kërkonte punëtorë sezonalë në Greqi. Shkurt, thashë akoma, se e mira ishte të kishim kushtet të punonim e të rrinim barinj në malet tona…
Lexuesi i vëmendshëm e kishte kapur në ato 1,500 komente që shoqëronim videon dhe më tregonin mua, se problemi është shumë më i ndërlikuar se sa mendoj unë, apo ata që analizojmë këto punët tona nëpërmjet gazetave a televizioneve. Duke u rikthyer në temë, dje kryeministri ynë, pohoi se po bisedohej me Greqinë për punëtorë sezonalë. Për këtë, lexuesi i përmendur më sipër, më thoshte të mbaja llafin e të kundërshtoja kryeministrin.
Natyrisht që mbaj të njëjtën ide dhe do mundohem poshtë, të sqaroj se kjo politikë, qoftë edhe e Ramës, nuk do na shpjerë larg, apo thjesht, nuk do na shpjerë gjëkundi…
Nuk ka nevojë të bësh llogari të mëdha, për të dalë në konkluzion, se, nëse në tokën tënde, që është ngastërzuar pafund, ku është në fuqi ligji 7501 me pasojat e tij, ku bujqësia është keqpërdorur nga partitë e të dy krahëve, vetëm si hambar votash, të përfundosh si përfundojmë ne. Pra, veç punës në fushat greke, të bëhesh edhe bari në malet e saj…
Faktori tjetër, që po i paraqes lexuesit, duket ca më i çuditshëm dhe po aq për dreq, si ato që përshkrova më lart…
Shqipëria, që së pari duhet ta kishte bujqësinë e veçanërisht blegtorinë, një nga sektorët primarë të saj, qoftë edhe për të furnizuar turizmin, është i vetmi vend që nuk ka bankë bujqësore.
E ka pasur ndonjëherë, thua!? Po, e ka pasur më parë, po e ka shitur para ca vitesh nën udhëheqjen e ekonomistit Nano, i cili, thuasje në të njëjtën filozofi të ekonomistit tjetër Pashko, do ta mbaj apo do mbahet mend, për një frazë të çuditshme…
“Po në ekonomi tregu jemi… kështu që edhe barin do ta blemë jashtë…”
Si rezultat i kësaj filozofie, Shqipëria, që ka pasur traditë blegtorinë, sot plotëson nevojat e saj për mish, në kufirin e vetëm 40 për qind të banorëve të saj…
Po të kthehemi te Banka Bujqësore, të cilën e quanim “Banka Agrare” dikur dhe në mos gaboj, e kishim të krijuar që nga një kohë ndoshta edhe para Hoxhës.
“E shita unë”, – tha ish ministri i Financave, Malaj. “E shita për një dollar. Në fakt, vazhdoi ai, në një emision televiziv, ku diskutonim bashkë – vetëm sa nënshkrova falimentimin e saj…”
Për shkak të natyrës së emisionit, nuk i thashë se kisha dëgjuar që këtë bankë, ata që e blenë, tentuan ta rishisnin ca kohë më vonë, tek arabët, duke iu kërkuar vetëm për asetet e saj, nja 4 miliardë dollarë… Le ta zëmë, se blerësi nuk ka kërkuar aq, po ca më pak. Thelbi mbetet i njëjtë.
Për hir të vërtetës historike, banka kishte kohë që kishte falimentuar, duke dhënë kredi pa asnjë kriter, shumica e të cilave, u shfrytëzuan për të blerë ndoshta edhe benzat bythështrembër të asaj kohe, pra 1992-1996 të Berishës, ajo i kishte bërë gropën vetes së saj. Duke krijuar një pafundësi kreditorësh të këqinj. Por, ata që erdhën pas Berishës, dommethënë Nano me shokë, duhet të kuptonin se kjo bankë i duhej Shqipërisë, më shumë se gjithçka.
Po nuk ndodhi kjo, ndodhi ajo filozofia që i citova Nanos më lart, që bari, tani në kapitalizëm mund të blihej edhe jashtë.
A ka mundësi që një vend si yni, që duhet ta ketë blegtorinë krahas bujqësisë, në themel të ekzistencës së tij, të mos ketë bankë bujqësore?
Ne jemi vend kapitalist dhe nuk na duhet bankë publike, mund të thotë dikush. A është vërtet kështu dhe nuk ka pse të kemi bankë publike?
Shembulli më i thjeshtë do të vinte nga Gjermania kapitaliste, e cila sot, ashtu si ne është mbërthyer nga pandemia e koronavirusit. Ka vendosur ta zgjidhë krizën e krijuar, veç të tjerash, me një bankë publike të quajtut KFV. Në Shqipëri e njohin këtë lloj banke, për shkak të ndihmave a kredive që na jep herë pas here, për projekte të veçanta.
Nëse Shqipëria sot, do të kishte bankën e saj bujqësore me kapital shtetëror, punët ndoshta do të ishin më ndryshe.
Në ato malet e Kukësit, a të Kolonjës sime, apo në Luginën e Vjosës, mund të shihje sot, me mijëra a miliona krerë bagëti, baxho djathi e traditë artizanale.
Nuk do të kishe nevojë të rropateshe këndej e andej. Ato 5 milionë euro, për të pasur si fillim nja dyqind mijë qingja dhënë fshatarëve të Kukësit e që mund të riktheheshin me dele vitin tjetër, duke mbajtur qingjat e rinj, do të shumëfishonin në pafundësi pasurinë tonë. Duke mbajtur kështu edhe turizmin, po të doni.
Po për të mbajtur këtë bagëti, duhet edhe bari dhe këtu fillojnë vështirësitë… Natyrisht, po të ndiqje filozofinë e ekonomistit Nano, duhet ta blije… Natyrisht, Nano ashtu si dhe Pashko, që kishin dhënë tërë jetën në ekonomi marksiste, kur hyri epoka kapitaliste, mësuar në ndonjë cep reviste, që vetëm ata e kishin privilegj ta lexonin, vetëm kështu mund të mendonin…
Po mund të mendoje më normalisht dhe akoma më normalisht, do të mendonte Banka Bujqësore, që ministri i Nanos, më tha se e shiti për një dollar.
Thelbi është ca më i thjeshtë, siç edhe e thashë në fillim të këtij shkrimi.
Nëse në tokat tona, nuk kemi bërë reformë agrare asnjëherë, por kemi përdorur një ligj 7501, që edhe sot nuk dihet ta lë tokën në përdorim, apo e ke tënden, nëse kjo tokë është e ngastërzuar pafund, si i bëhet??!
I bëhet thjeshtë… Fshatari që rropatet pafund, vjen vërdallë tokës së tij dy-dynymshe, duke bërë çdo operacion vetë. Nga punimi, e deri te shirja e korrja, e pastaj, deri te tregu i shitjes. Me një fjalë, një histori mesjete…
Duke shkruar këtë artikull, m’u kujtua një tjetër që fliste për luftën anglo-ruso-turke në Sevastopul, këtu e njëqind e ca vjet më parë.
Burokracitë dhe vështirësitë e pafundme, e kishin vënë në llogoren me baltë ushtarin anglez, i cili për ushqim, ilaçe, a barut duhet të priste që të mobilizoheshin tërë hallkat burokratike të shtetit me letrat përkatëse…
Dhe artikullshkruesi që përshkruante tërë këtë tragjedi, e mbaronte shkrimin me fjalët: I gjendur në këto situata, ushtari anglez përshëndeste plumbin rus që e çlironte nga këto fatkeqësi.
Në konditat e ushtarit anglez, është fshatari apo fermeri ynë, si e quajmë me termat e rinj kapitalistë, atë.
Me tokë të copëtuar, të ngatërruar në ligjin 7501, me ndihma që i vijnë nga burokracia shtetërore, që kujtohet për të në kohë fushatash politike, ai duhet të përgatitet të punojë tokat në Greqi, a kudo të gjenden ato. Po pak, për të mos thënë aspak, të punojë tokat e tij.
Po të rikthehemi edhe njëherë, te titulli i shkrimit. Nëse ti, si i vetmi vend neto bujqësor në rajon e më gjerë, je i detyruar të kishe Bankë Bujqësore, do të kuptoje se ajo do t’i zgjidhte me lehtësi e qartësi ato që mundonin fshatarin tënd.
Nuk e ke këtë bankë. Po nëse e kishe edhe e shite vetëm për një dollar, një nga bankat më të fuqishme të vendit tënd dhe ndoshta edhe më të domosdoshmen, nuk ka pse të çuditesh nga fati yt. Ai nuk mund të jetë veçse i materializuar në titullin e këtij shkrimi.
Po shite Bankën Bujqësore për një dollar, atëherë ka vetëm një variant… të punosh bari në malet e Greqisë.
Kjo do të ishte përgjigja ime, se sa dakord jam unë që kryeministri të flasë me grekët për punëtorë sezonalë dhe vitin tjetër me pandemi a pa pandemi, të vazhdojmë avazin e vjetër. Të punojmë në tokat e Greqisë, apo të një dreqi e di…