Eksperti për turizmin, Besnik Vathi, thotë se qeveria shqiptare nuk ka një strategji të qartë për turizmin.
Duke marrë shkak nga lajmi për regjistrimin e turistit të 1 miliontë për muajin gusht, Vathi thotë se nuk ka analizë të thelluar rreth turistëve, nëse qëndrojnë në vendin tonë apo janë thjesht vizitorë ditorë të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit me “një shishe ujë”.
Vathi: Edhe për statistikat e turistëve nuk bëhen analiza të studiuara nga vinë, sa vinë, ku duhet të synojmë, cilat tregje duhet të kërkojmë. Ndoshta ai turisti i 1 miliontë ka qenë një vizitor që ka ardhur paradite dhe do të ikë pasdite dhe të ardhurat në Shqipëri kanë qenë një shishe ujë pasi çdo gjë e ka lënë në Greqi.
I ftuar në RTV Ora, Vathi thotë se nëse do ishte bërë më shumë në krijimin e lehtësirave Shqipëria mund të kishte pritur dhe 8 milion turistë.
Problem kryesor thotë mbeten aeroporti dhe portet, më të shtrenjtat në rajon. Për Vathin, një aeroport në Sarandë do ta çlironte këtë perlë të turizmit nga varësia e aeroportit të Korfuzit.
Vathi: Nëse jemi të kënaqur me 5 milionë përsëri Shqipëria ka shumë probleme me aeroportin e vetëm që ka dhe portet dhe problematikat e mëdha që kemi në porte. Jemi i vetmi në rajon që kemi vetëm një aeroport dhe e kemi më të shtrenjtin në rajon. Aeroporti është porta e hyrjes së turistëve në Shqipëri. Ne pretendojmë të rrisim turizmin duke lënë një portë të ngushtuar, të shtrenjtë. Nëse jemi të kënaqur me 5 milion mund të ishin dhe 8 milion nëse do të kishim krijuar lehtësi më të mëdha, aeroportet etj. Flitet për Sarandën, lëvizje e madhe turistike.
Mos të harrojmë që Saranda i merr turistët nëse i ka turistë nga aeroporti i Korfuzit. Një industri e tërë në Sarandë që jeton se çfarë do të na sjellë Korfuzi në një kohë kur mund të ishte një aeroport që të shërbente në rajon. Nëse turistët vinë brenda ditës nga Korfuzi për të vizituar Butrintin, le ta bënin ditore nga Saranda në Korfuz për të vizituar Korfuzin dhe të qëndronin në Sarandë. Strategji të thella nuk ka për të marrë masa të menjëhershme që turizmi realisht të shkojë atje ku duhet.