Nga Spartak Ngjela
l.
Sot janë të shumtë mjekët ekspertë që po analizojnë rastin shqiptar, i cili deri tani po e dominon epideminë e koronavirusit. Por ka edhe disa mikrobiologë të dëgjuar në rang botëror, që janë shprehur për këtë rast.
Gjithsesi, të gjithëve na duhet të kujdesemi për qetësinë dhe masat në ruajtje të kësaj ecurie.
Masat e vendosura deri tani nga qeveria shqiptare, kanë rezultuar si një metodë shkencore antiepidemke që ka dhënë rezultat. Pra, kemi shpresë se jemi në një rrugë të drejtë.
Por megjithatë, këtu na duhet të ngremë këto pyetje, të cilat në fakt janë çështje kryesore të kësaj kohe.
Po ekonomia, po tregu, po shteti në çfarë parametrash janë?
Në këtë sferë nuk po dimë asgjë.
Pra, siç po shihet, ne i njohim parametrat e epidemisë, por ne nuk ka mundësi t’i dimë parametrat e tregut dhe të shtetit; sepse nuk kemi fare informacion për to. Parametrat e shtetit janë provat ose testet e demokracisë, kurse parametrat e tregut, janë tekstet e ekonomisë.
Por ne, deri tani nuk i njohim këto teste.
Kjo ndodh ngaqë qeveria aktuale nuk jep informacion demokratikisht. Dhe në fakt ka vite që dallon se qeveria Rama i ndruhet dhe i fshehet dhënies së informacionit.
ll.
Në funksion të kësaj gjendjeje, nga mënyra sesi sillet kundrejt informacionit, Rama kuptohet se ka fobi specifike në dhënien e tij.
Po ta shohësh me vemendje, kjo dallon se është një frikë e vjetër e Ramës që i vjen dhe i reflekton në disa aspekte. Por tani është kryeministër në një kohë me shumë rrezik shoqëror brenda saj, dhe duhet ta përmendim ndërkaq gjykimin e shëndoshë se: në një moment krize, një kryeministër i trembur kundrejtë shoqërisë i dëmton të tria palët e një procesi politik: edhe shtetin, edhe veten, edhe të ardhmen e shoqërisë.
Armiqësia me informacionin është mllef antidemokratik i çdo lideri politik.
Mendojmë se kjo është edhe arsyeja kryesore që vazhdimisht Rama ka qenë në armiqësi të dukshme me informacionin, në një kohë që në shoqëritë perëndimore sot është aksiomë se: niveli i informacionit është drejtpërdrejt niveli i demokracisë në një vend të caktuar.
Po pra, në këtë kohë ne nuk kemi asnjë lloj informacioni nga qeveria se: si po funksionon tregu shqiptar; si po luhaten vlera e lekut; sa ka qenë rënia e remitancave; sa ka renë konsumi në tregun shqiptar?
Por në të njëjtën kohë, ne nuk po e dimë se, pasi të paguhen nga shteti rrogat e papaguara të punonjësve: sa pritet që të rritet konsumi në treg?
Pa këto, askushi nuk mund të analizojë dot objektivisht.
Në anën tjetër, a e di kryeministri shqiptar që frika e përgjithëshme shoqërore e shkaktuar nga rreziku i vdekjes nuk mbaron me eliminimin e pandemisë, nëse nuk janë marrë masat në lidhje me pyetjet e mësipërme?
Në funksion të këtij gjykimi, kryeministri në çdo vend demokratik edhe nëse korr sukses politik individual në luftën që ka drejtuar kundër pandemisë vrastare, tregu bosh mbas saj e rrëzon menjëherë. Por nuk është vetëm kjo, sepse njëherësh, edhe shoqërinë e fut befas sërish në një hulli të rrezikshme krize, kur dhe i gjithë Perëndimi ndodhet në një moment të vështirë.
Shembulli më tipik i këtij gjykimi është rasti i Churchill-t, kryeministrit britanik, i cili në vitin 1945 edhe pse e shpëtoi Britaninë dhe fitoi luftën e Dytë Botërore, pas tre muajsh, humbi në zgjedhjet politike të po atij viti.
Historia na ka mësuar se është shumë e pranueshme për psikologjinë sociale që shoqëritë të kalojnë nga frika vdekjeprurëse e një lufte, te frika vdekjesjellëse e një urie.