Turin e llogaridhënies publike të qeverisë, ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë e filloi nga qyteti i Kavajës me mësues, nxënës e prindër. Gjatë një bashkëbisedimi të hapur ministrja Lindita Nikolla i informoi mbi punën e bërë gjatë 6 muajve të parë të kësaj qeverie dhe specifikisht të ministrisë që ajo drejton, duke identifikuar edhe fokusin ku është përqendruar ky dikaster gjatë këtij mandati.
“Reforma jonë e mësuesisë besoj do të fillojë dhe t’i japë frytet e veta. Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk do të lejojë më që në shkolla të shkojnë mësues pa arsimin përkatës, mësues të dobët, mësues që i zgjedh politika dhe ministrja dhe jo merita e tyre dhe nga ana tjetër ne nuk do çojmë drejt universiteteve maturantët më të dobët. Ne kemi rritur notën mesatare sivjet 7 për ata maturantë që do të zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër do të mbulojmë bursat e gjithë maturantëve që zgjedhin mësuesinë me notë mesatare mbi 9”, tha Nikolla.