Nga Ilir Hashorva
Po të vish nga një planet tjetër, pa ditur se ç’është bërë në këtë vend, dhe të lexosh shkrimet apo librat e Nexhmie Hoxhës, nuk mund të mos habitesh e as të kursesh lavdërimet për kujtesën e saj të saktë, për shqipen e pastër që përdor dhe për mënyrën e rrjedhshme e të saktë të tregimit të ngjarjeve. Nga ana tjetër, po të jesh një shqiptar që ke jetuar në Shqipëri në kohën e komunizmit dhe të dish se ç’i kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve Enver Hoxha e Nexhmie Hoxha, nuk mund të mos mendosh se ajo, me
ato që shkruan, ose është një hipokrite e plotë, ose është një idhujtare e madhe, së cilës nuk i funksionon një pjesë e trurit, gjysma e tij, ajo gjysmë që ka të bëjë me logjikën dhe me të kuptuarit e ngjarjeve. Unë besoj më shumë se është kjo e dyta që ka të bëjë me një çrregullim tipik psikik i atyre që vuajnë nga idhujtaria e skajshme e që kanë krijuar varësi prej idhullit të tyre.
Nexhmia ka një idhull. Ai është Enver Hoxha dhe partia e tij dhe pas tyre, për të, nuk ekziston asgjë tjetër. Enver Hoxha zëvendëson për të Zotin e besimtarëve, atë që është absolutisht i mirë, që është i kudondodhur, që është i pavdekshëm, që është i dashur dhe i mëshirshëm me të “mirët” dhe i keq dhe i pamëshirshëm me të “këqijtë”, me “armiqtë”, me atë që, edhe kur “duket” sikur bën keq, bën mirë, i cili vetëm mund të lëvdohet dhe në asnjë mënyrë e për asgjë nuk mund të kritikohet.
Idhujt janë të shumëllojshme. Idhull mund të jetë një person, një ide, paraja, partia, feja, droga, alkooli, suksesi, pasuria, një skuadër sportive apo një sportist, moda, veshja, një artist etj, por idhujtaria politike që fokusohet te një person i politikës, është më shqetësuesja. Kjo idhujtari është universale, ajo nuk është karakteristikë e një populli, e një shoqërie, e një kulture, apo e një stadi zhvillimi. Shekulli i njëzetë qe i mbushur me shfaqje ekstreme të kësaj idhujtarie në shumë popuj e vende. Regjimet totalitare kërkojnë që njeriu t’u bindet plotësisht politikave dhe udhëheqësve diktatorëve të regjimit: perëndive të rreme, perëndive imagjinare, dhe ka plot nga ata që u binden verbërisht dhe krijojnë varësi nga këta diktatorë.
Idhujtaria është një sëmundje e rëndë e trurit e cila, sidomos, kur është në sferën e politikës, të heq individualitetin dhe personalitetin, të heq gjykimin e pavarur, të bën servil dhe puthadorë, të bën vegël qorre të idhullit. Idhujtaria ta dembelos apo ta heq fare logjikën. Të gjithë fanatikët apo militantët e partive janë, në njëfarë mase, idhujtarë të partisë apo udhëheqësit të saj dhe të gjithë atyre u mungon aftësia për të shikuar më gjerë se partia e tyre.
Ndër përpjekjet e para që bëri njeriu për t’u përsosur, ishte lufta e tij kundër idhujve të rremë. Në faqet e para të Biblës, tek “Testamenti i Vjetër,” flitet pikërisht për këtë. Ishte Moisiu që luftoi idhujtaritë e ndryshme për të lenë vetëm një idhujtari, idhujtarinë ndaj Zotit.
Moisiu nuk u përpoq ta zhdukte idhujtarinë, por e drejtoi atë jo më nga sende apo qenie frymore a jo frymore të perëndizuara, nga demagogë e sharlatanë, nga gënjeshtarë e marifetqarë, nga diktatorë e kriminelë, por nga një qenie imagjinare, krejt e përkryer: nga Zoti.
Në urdhëresën e tretë që Zoti i jep njerëzimit përmes Moisiut thuhet: “Nuk duhet të bësh idhull (Zot) imazhin apo një të ngjashëm me të që ndodhet në qiell sipër, në tokë poshtë apo në ujë.” Kjo urdhëresë ndalon të gjitha format e përuljes idhujtare. Kjo i përjashton udhëheqësit njerëzorë nga statusi i Zotit dhe nga bindja e pakushtëzuar ndaj tyre.
Gandi luftën kundër idhujtarisë dhe pasjen e një mendimi të gjerë e të pavarur e shprehte ndryshe. Ai thoshte: “Dëgjoni dhe bindjuni vetëm zërit tuaj të brendshëm, vetes tuaj, ndërgjegjes tuaj, shpirtit tuaj, logjikës tuaj” por, e keqja është se idhujtarit i mungon zëri i brendshëm, ai ka vetëm zërin e jashtëm, atë të idhullit.
Një njeri që dëgjon zërin e tij të brendshëm ka personalitetin e tij, ndërsa një idhujtari, personalitetin ia krijon idhulli. Nazisti Himler thoshte se vetëdija e tij ishte Hitleri, ndërsa ministri nazist i Propagandës, Gëbelsi, ndonëse ishte një njeri shumë i ngritur, bashkë me gruan, menjëherë pas vetëvrasjes së Hitlerit, vranë edhe ata veten dhe të gjashtë fëmijët e tyre, sepse për ta “jeta nuk kishte më kuptim në një botë pa Fyrerin”, pa idhullin e tyre.
Gjatë komunizmit, Enver Hoxha ishte idhull për shumë persona dhe sot e keqja është se ajo frymë e idhujtarisë ndaj udhëheqësit, ndaj politikanit, ndaj VIP-it, e pranimit të tyre pa kushte, sido që të jenë dhe çfarëdo që të bëjnë, është ende e gjallë. Idhujtarë të tillë as nuk duan të dinë e as nuk duan të dëgjojnë për gjë tjetër përveç atyre që kanë të bëjnë me idhullin e tyre. Ata mbeten krejt të njëanshëm.
E, pra, për ato që thotë, Nexhmia për Enverin dhe partinë e tij mendoj se është e pavetëdijshme, ato asaj ia thotë idhulli, ajo nuk është në gjendje të gjykojë dhe të analizojë, nuk është në gjendje të dallojë të mirën nga e keqja, inteligjenca e saj është selektive, ajo punon vetëm në drejtime të caktuara, të tjerat ia ka bllokuar idhulli.
Asaj nuk i bëjnë përshtypje fare ato që kanë pësuar të tjerët prej burrit të saj dhe prej regjimit që vendosi ai, ajo nuk gënjen, por nuk e kupton që burri i saj ishte një kriminel, dhe jo një kriminel dosido, por krimineli shqiptar më i madh që njeh historia jonë, ishte ai që vrau, burgosi, internoi e persekutoi dhjetëra mijëra shqiptarë.
Ndërsa sistemit që krijoi i shoqi i saj filloi të mos i mbanin më gjunjët dhe shqiptarët krijuan skena biblike, për t’u larguar nga sytë këmbët nga socializmit “fitimtar” drejt perëndimit kapitalist “dekadent”, Nexhmia flet për ruajtjen e fitoreve të socializmit!
Ajo tmerrohet dhe i quan barbarë e primitivë ata që zhvarrosën burrin e saj, një kriminel mostër, nga varrezat e dëshmorëve, edhe pse ai nuk kishte vdekur në luftë, por nuk arrin të mendojë se si duhen quajtur ata, që hodhën në erë me dinamit, pa ardhur ende në pushtet, varrin e një gruaje që s’kishte bërë asgjë, që s’kishte luajtur asnjë rol në politikën shqiptare, përveçse që ishte nëna e mbretit të Shqipërisë; ata që hodhën në lumë eshtrat e poetit kombëtar Gjergj Fishtës; ata që lanë pa varre ata mijëra që vranë kot apo i vdiqën nëpër burgje, të cilëve dhe tashti nuk u gjenden dot eshtrat.
Ajo flet e tmerruar, por sillet si kokoroçe që, për ta shpëtuar nga zemërimi i popullit që mund ta kishte copëtuar në kohën e përmbysjes së madhe, e transferuan, për ta shpëtuar atë dhe familjen e saj, nga një shtëpi luksi në Tiranë për në një tjetër shtëpi luksi në Dajt. Ajo i thotë një oficeri që ishte ngarkuar për sistemimin e saj:
“Ç’keni vendosur për ne? Jeni ju në dijeni se çfarë ndodhi rreth shtëpisë sonë? Jam vetë e pesëmbëdhjeta, bashkë me shtatë të vegjlit dhe këtu s’mund të rrimë. Ku mund të shkojmë?”. Pas njëfarë hezitimi të oficerit, ajo vazhdon: “Mirë, … shko u thuaj përgjegjësve të tu që të vendosin ku duhet të shkojmë sonte dhe të marrin masa!”.
Pasi u morën masat, ajo vazhdon: “Sa ra muzgu i mbrëmjes, erdhën te hyrja e Shtëpisë së Partisë dy kamionë të mëdhenj ushtarakë “Ifa” dhe një xhips “Aro”. Më thanë që në kamionin e mesit do të hipte e
gjithë familja dhe dy makinat e tjera do të na shoqëronin, një para, tjetra prapa. Unë vendosa të mos grumbullohej e gjithë familja në një kamion, por në kamionin e parë të futej Iliri me familjen e tij, tek i fundit, Pranvera me Klemin dhe fëmijët, dhe tek kamioni i mesit, unë me Sanon dhe familja e Sokolit. Po kështu, skuadra shoqëruese e ushtarëve, e armatosur me automatikë, u nda në të tre makinat dhe u thashë që këta të ecnin me distancë nga njëri-tjetri, por pa u shkëputur….
Kamionët ecnin ngadalë, sepse rruga për në Dajt është me shumë kthesa dhe ishte natë e kishte rënë dëborë. Ata nuk mundën të ngjiten deri te vila. Ushtarët e repartit të vendosur në atë zonë kishin hapur një rrugë këmbësore në mes të dëborës, e cila, anash rrugës, arrinte më shumë se gjysmë metri. Aty ecëm më këmbë, në mes të ftohtit derisa arritëm te shtëpia.
Kur Nexhmia tregonte “vuajtjet” e saj kur e çuan në vilën luksoze të Dajtit, mua m’u kujtuan menjëherë historitë e disa prej dhjetëra mijëra të internuarve të kohës së saj që i nxirrnin nga shtëpitë, i rrasnin në kamionë dhe i çonin me pleq e me foshnje në vende që s’kishin asnjë lidhje me ta dhe, mes tyre, m’u kujtua historia e familjes Petrela.
Fadil Petrelën, së bashku me të shoqen Xhumen, bijën e Abaz Kupit, me nënë e tij, Alien, me motrën, Kajen dhe me katër djemtë e tij, më i madhi 11 vjeç dhe më i vogli 1 vjeç, në dimër, i urdhëruan të shkonin diku pranë Selvisë. Aty i hipën në një kamion të Ministrisë së Brendshme dhe i nisën për në internim, fillimisht në Berat dhe disa muaj më pas, së bashku me shumë familje të tjera, për në kampin e Tepelenës.
Në një kthesë, pa arritur në Tepelenë, njëri nga kamionët u përmbys dhe prindërit, Fadil e Xhuma Petrela, humbën jetën. Fëmijët shpëtuan mrekullisht. Më i vogli i djemve, Seiti, u gjend i gjallë mes ferrave. E ëma e kishte lëshuar kur makina po përmbysej, që të mos e mbyste me peshën e saj. 26 të tjerë nga të internuarit ishin dëmtuar rëndë.
Sipas Seitit, që rrëfen atë që dëgjoi nga vëllezërit e tij më të rritur “varret u hapën me kapakë tenxheresh” dhe dy kryefamiljarët u lanë atje, buzë rrugës, ndërkohë që kamioni vijoi për në Tepelenë, për të dorëzuar në kamp 4 jetimët e mitur, hallë Kajen, 24 vjeçe që, e traumatizuar nga tragjedia, pësoi krizë nervore, gjyshen e gjymtuar në shtyllën kurrizore dhe të 26 të internuarit e tjerë, të gjithë të plagosur.
Megjithëkëtë fatkeqësi që pësoi kjo familje, kriminelët e kuq të Nexhmies, të katër të miturit, këta “armiq të popullit”, midis tyre edhe Seitin, foshnjën 1-vjeçare, i mbyllën në internim në kampin e Tepelenës. A nuk mund të mos e tronditin njeriun ngjarje të tilla? Por, Nexhmies këto histori nuk i bëjnë përshtypje, ato nuk ia ngacmojnë vetëdijen dhe, edhe në ka dëgjuar ndonjëherë për ngjarje të tilla, i ka harruar në çast.
Nuk mund të mos kujtoj, po ashtu, edhe një ngjarje tjetër internimi që ndodhi fare pak para përmbysjes së madhe që, pa asnjë shkak, internuan në tre vende të ndryshme dajën e gruas sime së bashku me të shoqen, Eshref e Lejla Beshirin, të dy të moshuar, vajzën e tyre, Aidën, që sapo ishte bërë nënë, si dhe djalin e xhaxhait tjetër, Rubinin. Kur po e çonin në “vendbanimin e ri”, së bashku me foshnjën 40-
ditëshe, Aida, pyeti policin që e shoqëronte në kamion se përse po e internonin. Polici iu përgjigj: “Ça ke bo, mos bo mo”. Edhe sot e kësaj dite, ata nuk dinë se përse i internuan.
Gjithashtu, kujtoj me dhimbje internimin, pa asnjë shkak, në moshë të thyer dhe vdekja në internim, e mikut të shtëpisë sonë, anëtarit të Misionit të Posaçëm për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, të profesorit me origjinë kosovare, Jonuz Blakçorit.
Disa e kritikojnë apo e këshillojnë Nexhmien që të kërkojë falje. Kot e kanë. Ajo nuk është si shumë të tjerë që e kuptojnë fare mirë se ç’kanë bërë, por as sedra nuk i lejon dhe as kanë ndonjë detyrim a frikë nga jashtë për të kërkuar ndjesë, ajo është si pak të tjerë që nuk mund të kërkojë ndjesë, sepse ajo vërtet nuk kupton fare se ato që ka bërë i shoqi i saj, partia e tij dhe ajo vetë janë makabritete. Ajo është e papërgjegjshme.
(TemA)