Prindërit dhe vëllezërit e Maria Hysenit, 16-vjeçares shqiptare që vdiq në Trikalla të Greqisë në rrethana ende të dyshimtë, kanë ngritur zërin në media greke se bëhet fjalë për një krim: “ U krye krim dhe vajza jonë vdiq!” Ndërsa ekspertiza mjeko – ligjore forcoi skenarin e vetëvrasjes në rastin e vdekjes së 16-vjeçares Maria , Prokuroria e Triakallës pas insistimit dhe bindjes së familjes së saj se është kryer krim, nuk do ta mbyllë dosjen, për të hedhur më shumë dritë mbi çështjen.
Sipas avokatit të familjes, z. Dimitris Samartzis , familja është në pritje të vendimit të zhbllokimit të celularit të vajzës, heqjes së sekretit telefonik dhe ekzaminimeve toksikologjike dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme në mënyrë që çështja të mos mbyllet derisa të hiqet perdja e misterit që mbulon çështjen.
Prindërit dhe vëllezërit e Marias, shpërthyen të indinjuar në Protothema.gr pas funeralit të 16-vjeçares, duke pretenduar se ata nuk e dinin që Maria kishte një lidhje me policin 26-vjeçar dhe se atë natë vajza e tyre kishte pasur takim me të. Sipas informacioneve, Maria 16-vjeçare kishte takuar oficerin e policisë 26-vjeçar që kishte njohur nëpërmjet Instagramit dhe ata kishin lënë një takim për të martën e kaluar. Polici shërben në Athinë, por me origjinë është nga Trikalla . Maria, sipas prindërve të saj atë natë, iku nga shtëpia vonë natën për ta takuar.
Vëllai
“Motra ime u vra, ajo nuk bëri vetëvrasje. A është e mundur që një oficer policie të dalë natën me një vajzë të mitur pa e ditur prindërit e saj?! Ashtu si prindërit e mi, nuk dija asgjë për marrëdhëniet e Maria me këtë djalë. Unë e doja shumë Maria dhe u kujdesa për të si Kristina, dhe vazhdimisht u thosha atyre se do të isha pranë tyre për gjithçka që iu nevojitet. Maria i diskutonte sekretet e saj shumë me motrën e saj binjake, Kristina, ato ishin të pandara” thotë vëllai i Marisë së pafat për Protothema.gr.
Mamaja
“U krye një krim dhe vajza jonë vdiq. Unë dua që e gjithë e vërteta për vdekjen e Maria tonë të dalë në dritë. Nuk e dija që fëmija im ishte larguar fshehurazi nga shtëpia gjatë natës për të takuar një oficer policie me të cilin kishte një lidhje, siç mësova më vonë. Si nënë, vazhdoja t’u thosha vajzave të mia binjake se duhet të kujdesen për miqtë e tyre, të kujdesen për njëra-tjetrën. Nuk e dija që Maria kishte një shok dhe ajo doli me të në orën 2:00 të mëngjesit.
Kristina ime më tha gjithçka, pas së keqes që na ndodhi. Vajza ime ishte një vajzë e lumtur, nuk e kam lënduar asnjëherë, ishte e etur pë tër jetuar. Nuk besoj se fëmija kreu vetëvrasje. Sa e trishtueshme do të ishte që një vajzë 16-vjeçare, të dëshironte të kryente vetëvrasje! Shtëpia jonë ka tre kate, ajo mund të hidhej nga çatia e shtëpisë sonë për të bërë vetëvrasje dhe nuk kishte pse të vraponte natën. Ata e vranë fëmijën tim”, tha nëna e Marias.
Babai
“Maria ime ishte një lule. Motra e saj binjake, Kristina është shum keq psikologjikisht. Ato ishin të pandashme dhe tani ajo mbeti vetëm. Ne duam të dimë se çfarë ndodhi me fëmijën tonë atë natë. Unë do ta çoj çështjen deri në fund për të gjetur prehje, shpirti i fëmijës sim,”, tha babai i 16-vjeçares.
Pyetjet pa përgjigje
Sipas informacioneve nga protothema.gr, 16-vjeçarja Maria ishte shumë e dashuruar me oficerin e policisë 26-vjeçar dhe ishte e vërtetë që e takoi një natë para vdekjes së saj.
Sipas dëshmitarëve , atmosfera midis tyre ishte shumë e qetë dhe ata dukeshin të lumtur. Në fakt, takimi i tyre zgjati disa minuta dhe Maria, e shoqëruar nga oficeri i policisë, u kthye në shtëpinë e saj: por ata u ndanë pak para se ajo të arrinte në shtëpi, në mënyrë që lagjja të mos e kuptonte që e mitura ishte në një lidhje.
Sipas informacioneve nga Policia e Trikallës, 26-vjeçari ka një alibi, që shihet nga një pamje e marrë në lagjen e Marias 16-vjeçare në orën 3:15 të mëngjesit, kur ai e lë në shtëpinë e saj dhe largohet.
Por kamera zbulon një fakt tjetër serioz.
Me sa duket, kur polici u largua, telefoni celular i 16-vjeçares filloi të tingëllonte, ajo iu përgjigj thirrjes që iu bë dhe në vend që të hynte në shtëpinë e saj, u kthye mbrapsht dhe u largua. Pyetja është se kush e ka thirrur në telefon dhe pse vajza nuk ka hyrë në shtëpi pas kësaj bisede.