Presidenti i Amerikës, Donald Trump ka nominuar Eric Wendt për Ambasador në Shqipëri. Wendt është propozuar nga Trump për tu emëruar si Ambasador i Shteteve të bashkuara të Amerikës në Shqipëri dhe është një nga figurat e njohura të ushtrisë amerikane. Ai ka një karrierë mbi tre dekada në fushën e sigurisë dhe operacioneve speciale.
“Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në dokumentin zyrtar.
Eric P. Wendt është një gjeneral-lejtnant në pension i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Ai ka shërbyer për herë të fundit si komandanti i 5-të i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, ndërsa është larguar nga komanda më 29 janar 2021. Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, ai ka mbajtur disa poste kyçe, përfshirë rolin si Koordinator i Sigurisë së SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019), si dhe pozicione drejtuese në Komandën e Paqësorit të SHBA dhe në strukturat e operacioneve speciale në Kore dhe Afganistan.
Si zgjidhet Ambasadori i SHBA-së?
Procesi i emërimit të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kalon përmes disa hallkave institucionale dhe përfshin si Presidentin, ashtu edhe Senatin.
Fillimisht, kandidati për ambasador përzgjidhet nga Presidenti, i cili propozon emrin për të përfaqësuar SHBA-në në një vend të caktuar. Më pas, kandidatura i dërgohet për shqyrtim Senatit.
Në Senat, kandidati kalon në një seancë dëgjimore përpara Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, ku vlerësohen kualifikimet, përvoja dhe qëndrimet e tij mbi politikën e jashtme. Pas kësaj faze, Senati zhvillon votimin përfundimtar. Nëse kandidatura miratohet, personi emërohet zyrtarisht ambasador.
Pas miratimit, ambasadori bën betimin dhe përgatitet për të marrë detyrën në vendin pritës. Megjithatë, para se të nisë zyrtarisht punën, kërkohet edhe pëlqimi i shtetit ku do të shërbejë, një procedurë e njohur si “agrément”.









