Nga Roland Bejko
Ekzistojnë tre “të vërteta” që e ndihmojnë ose e pengojnë një kandidat potencial që të përzgjidhet në listën përfundimtare nga partia:
1. E vërteta e përshtypjes që ka baza e partive përkatëse dhe qytetarët në nivel zone elektorale. (Lum ai/ajo që gëzon respekt dhe mbështetje të gjerë. Vetëm kjo nuk ka çmim. As shitet, as blihet)
2. “E vërteta” që krijohet/pompohet nga inxhinieria mediatike sipas interesave okulte ose jo të grupeve të interesit që sponsorizojnë kandidatin X, Y duke i krijuar atij një profil simpatik për të sugjestionuar bazën/ elektoratin dhe strukturën qëndrore të vendimarrjes. ( Kjo e “vërtetë” është në treg. E ka një çmim, shitet e blihet)
3. E vërteta që ka në mendjen e vet struktura vendimarrëse e partisë.
Kandidati i cilës kategori ka më shumë mundësi që të përzgjidhet në fund?
Natyrisht, kandidati ideal do ishte ai që do ti përputheshin të tri të vërtetat me kushtin që e vërteta mediatike të mos ishte ajo e fabrikuara.
Më i brishti është kandidati që zotëron të parën dhe i mungojnë dy të tjerat.
Në vend të dytë renditet si mundësi përzgjedhje produkti mediatik. (Çfarë zhgënjimi do rezultonte pas ca kohësh!)
Ndërsa më i avantazhuari me sistemin e përzgjedhjes që kemi, është padyshim kandidati që rezulton i përshtatshëm si i tillë në mendjen e strukturës vendimarrëse.
Ps. Do doja të bëja një shkrim për këtë temë, por kam nënshkuar formularin e betimit për respektimin e kodit të etikës në garën e brendshme aq të nevojshme për rruajtjen e kohezionit të brendshëm në parti.
Do ti kthehem kësaj teme kur të çlirohem nga kjo barrë pasi të publikohet lista përfundimtare.