Nga Panajot Barka
Bisedimet greko-shqiptare, ku palet pranojnë përmirësimin e admirueshëm të marrëdhënieve bilaterale, po shoqërohen ditët e fundit, vëçanërisht në Shqipëri me reagime të shumta dhe të ashpra. Leximi i kujdesshëm i tyre lejon të kuptosh se bëhet fjalë për një “shqetësim” bezdisës në disa plane dhe pavarësisht se nga pikëpamja parimore është nonsens të kundërshtosh përmiresimin e marrëdhënieve. Pika e ujit që shkaktoi derdhjen e gotës në këto zhvillime ishte deklarata e Kryeministrit grek A. Cipras pas takimit në Davos me Kryeministrin Rama për përparim të admirueshëm pozitiv në marrëdhëniet greko-shqiptare, duke lene hapur të kuptohet se Greqia nuk do te bëhet pengesë për Shqipërinë në hapjen e negociatave të vendit kandidat në BE. Duke njohur sado pak natyrën e kryeministrit grek, historinë e ballafaqimeve të tij epike me të fortet e BE-së, kupton se entusiazmi i tij me Ramën lidhet me ndërrimin e kursit të Ramës nga kryesues i nacionalizmit antigrek në bashkëbisedues për zgjidhjen e çështjeve të tilla si marrëveshja e detit, e cila kishte ngecur për arsye të nënshtrimit të logjikës së interesit të përbashkët tek nacionalizmi i sëmurë, apo për interes të të treteve !
Në fakt artikulimi nga të dyja palët për një zgjidhje të marrëveshjes së detit, (qoftë edhe pse i paqartë, ashtu si mbajtja sekret i brendisë së të gjitha bisedimeve), i ka shndëruar dialogun dypalësh në ballafaqim të tensionuar të brendshëm. Deklarata e Ministrit të Jashtëm Grek se gjeti gjuhën e përbashkët me Tiranën për zgjerimin e vijës së ujrave territoriale të Greqisë në 12 milje, konsiderohet në Shqipëri si një tradhëti më e madhe se ajo e 2009. (!) Në fakt zbatimi praktik i interpretimeve në Shqipëri, nuk mund të ndodhë për shkak të distancave më të vogla midis brigjeve të të dy vendeve. Ndërsa, duket se egziston një konceptim tjetër, për të cilin Tirana hesht dhe Greqia nuk jep shpjegime.
Në qarqe të ndryshme greke kjo konsiderohet si një tërheqje pa takt i qeverisë greke. Argumentohet se marrëveshja e re, e cila do të kënaqë pretendimet e Tiranës për “padrejtësitë ndaj saj” në marrëveshjen e 2009, ndërkohë që ajo nuk cenonte interesat shqiptare në asnjë drejtim; se kjo marrëveshje “e re”, mund t’i kalojë Shqipërisë sipërfaqe deti që i takojnë Greqisë; dhe ajo që ka më shumë rendësi politike dhe kombëtare, thuhet në Greqi, pretendimet shqiptare ngjasojnë si dy pika uji me ato turke në detin Egje dhe një tërheqje e tillë nga pala greke do të krijojë precedentë të rrezikshëm edhe me Turqinë. Në fakt, nëse pretendimet vërtetohen, kjo më shumë duhet konsideruar si një terheqje greke për t’i krijuar mundësi Ramës për të shpëtuar nga ngërçi që vetë ia krijoi vetes me Gjykatën Kushtetuese, për marrëveshjen e 2009-ës, pasi pavarësisht vendimit të kësaj Gjykate, i respektueshëm në parim, përmbajtja e tij nuk ka asnjë argument dhe fakt që të mundësojë marrjen e këtij vendimi.
Momenti i dytë që duhet dalluar në realitetin e bisedimeve, është ekspasioni mediatik i vetë protagonistëve në bisedime, sidomos nga pala shqiptare, për të bindur publikun për drejtësinë e qëndrimeve të tyre, të cilat mbahen edhe sekret, edhe publikohen. Eshtë për të venë re këtu se pala shqiptare i mëshon argumentit të përfitimit të Shqipërisë nga këto bisedime, duke anashkaluar ose shpërfillur parimin e interesit reciprok. Elementi tjetër sfidues i këtyre bisedimeve është fakti që përpjekja për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve po shndërrohet reciprokisht në problem të brendshëm politik ose etnik të çdo vendi. Kjo i ka detyruar palët të bëjnë lëshime njera tjetrës, si fakte për të bindur kundërshtarët se ndryshku po shkundet.
Kjo tregon se ajo që deklarohet për dialog të sinqertë dhe përparim spektakolar në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk përbën realitet. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, kur dihet se pikënisjet e secilës palë në këtë dialog janë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, pikënisje që në fund të fundit, pavarësisht nga taktikat, derivojnë në strategji të ndryshme dhe të kundërta. Pala greke u nis nga pozita e superioritetit që i jep statusi i vet në strukturat euroatlandike dhe me synimin që të zgjidhë problemet me fqinjët cilado qofshin ato. Ajo shpreson se një lëvizje e tillë, së bashku me sinjalet pozitive për daljen nga kriza e stërgjatur ekonomike, do t’i sigurojnë një avantazh rolit të vet në Ballkan. Nga ana tjetër shpreson se me këtë mënyrë do t’i heq nga dora çdo armë fqinjëve, sidomos Shqipërisë, në lidhje me ambicjet dhe retorikën nacionaliste.
Pala shqiptare u nis nga pozita thellësisht nacionaliste, që kishte si frymëzim antihelenizmin, të inspiruar shpesh personalisht nga kryeministri. Kjo përbën për palën shqiptare një piruetë dhe nuk është e vështirë për të kuptuar se lidhet me qëllime afatshkurtra politike të Tiranës, siç është hapja e negociatave të vendit kandidat për në BE, proces në të cilin edhe Rama e ka provuar se faktori Greqi është i rëndësishëm. Në fakt bëhet fjalë për një qëllim strategjik të vendit, por që qeverisë i duhet me urgjencë si një kartë suksesi, të rritjes së kredibilitetit të rënë në publik dhe çarmatosjës së opozitës në ashpërsimin e luftës politike. Këtu duhet kërkuar edhe një nga arsyet e ashpërsimit të debatit për rezultatet e bisedimeve dypalëshe. Në këtë prizëm, Tirana, të paktën në ligjerim mediatik, përpiqet nga njëra anë t’i tregojë palës greke se klima e mirëbesimit është e dhenë. Nga ana tjetër t’i mbush mendjen opinionit publik vendas se nuk bën asnjë lëshim apo devijim nga rruga e egocentrizmit nacionalist. Varësia nga kjo mendësi nuk është thjeshtë se e bën më të ndjeshme ndaj presionit të brendshëm. Por i imponojnë mashtrime të tilla që çuan palën greke, të arrijë brenda muajit të mjaltit midis tyre, të përgënjeshtrojë zyrtarisht Tiranën dha ta këshillojë atë të ketë kujdes .(!) (Rasti i pretendimit nga Tirana se pjesë e bisedimeve është edhe problemi çam).
Një qëndrim i tillë abuzues krijon nga ana tjetër një precedent jo pak të rrezikshëm. Vetë Kryeministri, ministri i EPJ, apo dhe faktorë të tjerë pranë tyre, po trumbetojnë më të madhe se arritje të tilla siç është abrogimi i ligjit të luftës i palës greke, (pavarësisht nga formula që do të zgjidhet, që edhe për palën shqiptare të quhet i abroguar ligji i saj i luftës së qërshorit të 1940), do të çojë në përfitime të mëdha pasurore dhe monetare të qytetarëve shqiptarë që arrijnë në disa dhjetra miliardë dollarë. Po krijohet një situatë tjetër shprese për pasurim të shpejtë dhe të papritur të shqiptarëve, të shoqëruar me një ndjenjë në rritje revanshizmi pa arsye ndaj Greqisë. E thënë ndryshe kjo do të thotë se kur këto shpresa do të shuhen, pasi të jenë konsumuar dhe shumë energji, të ushqehet edhe më shumë nacionalizmi antihelen. Në Greqi flitet tashmë hapur se Tirana, për të fituar përkrahjen greke në arritjen e qëllimeve imediate politike të saj, hapjen e ngociatave të vendit kandidat për në BE, bën të njejta lëshime si qeveria e saj parardhëse para dhe me 2009. Premton, bën ndonjë lëshim të cilin mund ta tërheqë sapo ta arrijë qëllimin e vet etj. (Flet për këtë fakti i përpjekjës për të minimizuar rendësinë që ka për Greqinë, çështja e prehjes së eshtrave të ushtarëve grek rënë në luftën italo-greke me 1940-41 në tokën shqiptare). Në këto kushte Athina tregon se nuk do të lëjojë kësaj here që të sfidohet. Që do të thotë akoma se në vija të përgjithshme, përpjekja për të zgjidhur problemet e së kaluarës do të shoqërohet me krijimin e një zinxhiri të ri problemesh dypalëshe, të paralajmeruara qartazi që tani nga autoritetet shqiptare./lapsi.al