Nga Mentor Kikia
Marrëveshja u bë, por reforma zgjedhore jo!
(Vetëm një letër me firma që duhet për negociatat)
Më në fund ka një lajm të madh. Partitë, nën diktatin e ambasadorëve të huaj në Tiranë, bënë marrëveshjen për reformën zgjedhore. Një javë tension, natë e ditë, tryeza, konferenca, orë të gjata mbyllur në zyra.
Dhe me në fund u arrit.
Por çfarë u arrit, e dini?
Asgjë! Po asgjë prej gjëje.
Kjo marrëveshje duhej si letër e firmosur, për të plotësuar një nga kushtet e hapjes së negociatave, të cilat edhe pse u hapur, ende nuk janë hapur tamam.
Pyetja e madhe është kjo: Çfarë solli kjo marrëveshje në mekanizmin tonë zgjedhor?
A e bën procesin më të sigurtë nga vjedhja e votave?
A e bën politikën tonë më demokratike dhe transparente?
A i jep votës së popullit pushtetin e vërtetë që duhet të ketë?
A e bën popullin vërtet sovran, siç e tharrësit ata që ne votojmë njëherë në katër vjet?
JO!
Asgjë nga këto nuk është arritur.
U vendos se do të bëhet identifikimi biometrik, pra që burri të mos votojë edhe për gruan, edhe djalin që është emigrant në Greqi, dhe që pas vitit 2025(me shpresë) anëtarët e KQZ dhe numëruesit e votave të jenë jo politikë.
Çfarë pritej dhe duhej bërë?
Ndryshim sistemi: Nuk u bë
Hapjen e listave të kandidatëve: Nuk u bë
Votimi i emigrantëve: Nuk u bë
Rregulla të reja për financimin e fushatave: Nuk u bë
Transparenca e financimit nga vetë kandidatët (sipërmarrësit-oligarkë që kandidojnë): Nuk u bë
Tani merreni këtë marrëveshjen e madhe, futeni në gotë, dhe pijni lëngun tre herë në ditë.