Nga Namir Lapardhaja
Investimi më i madh i Edi Ramës në pushtet ka qenë ngulitja e idesë se për gjithçka në këtë vend fajin e ka kundërshtari politik. Nuk i duhet mohuar kjo meritë. Opozita e ka fajin kur Edi Rama kapet duke vjedhur, kur kriminalizon parlamentin, kur fut në burg për mospagim të energjisë elektrike, kur ministra dhe drejtorë të policisë së tij kanabizojnë vendin, kur rrit taksat dhe ulë rrogat, kur shkatërron pronën private, vjedh atë publike etj. Propaganda është shndërruar në një makineri kullufitëse, ku bluan dhe nxjerr gjithçka pushteti kërkon. Nis në mëngjes nëpërmjet një ushtrie në emisonet televizive dedikuar problemeve qytetare dhe përfundon në mbrëmje vonë, ku njerëz të paguar nga taksapaguesit shqiptarë shfaqen si opinionistë të pavarur.
Propaganda i nguliti shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve idenë se opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi, duke e shndërruar atë në antagoniste, për shkak se ajo ka frikë nga drejtësia. Ndërkohë që nga drejtësia e pavarur duhet të kenë frikë ata që janë në pushtet, që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj zullumeve dhe korrupsionit, jo ata që kanë vite që janë larguar prej tij. Nuk duhet mohuar se në gjithë këtë kohë opozita ka luajtur në terren të minuar. Me këtë nuk dua ta shfaqësojë plotësisht. Ajo ka përgjegjësitë e saj.
Që opozita t’i paraprijë variantit të fajësimit dhe të anatemimit, Lulzim Basha, pas përpjekjeve të fundit prej tij, duhet t’i thotë pa asnjë lloj kompleksi “PO” marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Nga momenti i uljes në tryezën politike, që për PD-në ishte një fitore e madhe, për shkak se e zhbëri Parlamentin dhe njohu atë si faktorin e vetëm opozitar, ishte e qartë se dita e dakordësisë nuk do të ishte e largët. Marrëveshjet nuk kanë asnjëherë fitues maksimal. Në marrëveshje nuk futet askush për t’i fituar apo për t’i humbur të gjitha. Opozita nuk ka pse bie pre e presionit për t’i thënë jo ndërkombëtarëve apo të bëhet pjesë e korit të një pjese të rrjetit social që shohin tek çdo ndërkombëtar konspiracion.
Se kush është Edi Rama dhe Damian Gjiknuri nuk ka nevojë të na e thote PD, Lulzim Basha apo ndonjë ndërkombëtar. Shqiptarët i kanë parë me zë dhe figurë. Mbi të gjitha, po i përjetojnë në kurriz zullumet e përditshme të pushtetit të tyre. Ajo që kanë nevojë shqiptarët është t’u kthehet besimi dhe të shohin një lider dhe një parti politike që u ofron një alternativ të besueshme. Reforma Zgjedhore në këtë drejtim është stacioni i parafundit i mbijetesës së Ramës në pushtet. Asnjë lloj sistemi dhe dakordësie nuk e largon automatikisht Ramën. Besimi tek opozita dhe tek alternativa e saj po.
“PO-ja” e Bashës duhet t’i japë fund një herë e përgjithmonë alibisë së ndërkombëtarëve. Pas kësaj ata duhet të shohin tek ai një partner serioz të besueshëm. Frymën popullore nuk ka sistem, reformë, ndërkombëtar, lekë, bandit apo vjedhje që e ndalon. Sfida e PD dhe e liderit të saj në këtë vit të fundit para zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë sinkronizimi total me erën dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim.
Njerëzit kërkojnë alternativë të besueshme. Opozita ka shansin e madh t’ua realizojë dëshirën. Ekonomia është rënuar. Kjo duhet të jetë sfida më e madhe e saj. Si dhe çfarë do të bëjë për ringritjen e saj? Çfarë do të bëjë për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë etj.? Program dhe premtime të realizueshme. Nga momenti i “PO-së” së Reformës Zgjedhore merr fund rehatia e Lulzim Bashës.
Ai ka përgjegjësinë kryesore për krijimin e një ekipi të besueshëm, që ngjall kureshtjen dhe admirimin e votuesve. Ai nuk mund të shndërrohet në katërqind pjesë dhe të shpërndahet në të gjithë vendin, por ekipi i tij po. Njerëz të besueshëm dhe me reputacion në qytetet dhe zonat e tyre mund ta shndërrojnë PD-në në një alternativ serioze, gati për pushtet.