Nga Mentor Kikia
Debati mbi investimet në zonat bregdetare, edhe në ato që gëzojnë status mbrojtjeje, është tashmë sa mjedisor aq edhe politik. Ndër protestues, dominon qëndrimi: “Larg duart nga bregdeti ynë”, ndërsa qeveria shtron pyetjen: “A do ta zhvillojmë turizmin, apo do të mbetemi tek turizmi i Mihalit që rreh klientët e lokalit”? Unë mbështes këtë të dytën, pra zhvillimin. Por çfarë është, apo çfarë quhet zhvillim? Zhvillimi duhet të mbështetet në tri shtylla:
-Mbrojtje e natyrës, sipas kategorive dhe bashkëjetesë e ekonomisë me mjedisin.
-Respektim i pronësisë.
-Përdorim i vijës bregdetare vetëm për turizëm.
Çfarë ka bërë e po bën qeveria deri tani?
Shikojeni këtë lagje tip Berati apo Gjirokastre. Eshtë “Gjiri i Manastirit”, ky territor i’u hoq zonës së mbrojtur të Butrintit, për zhvillim turistik, në bazë të ligjit famëkeq të “Investimeve Strategjike”. Pra, kjo lagje, është një “Investim Strategjik”. Por, çfarë gjëje strategjike ka këtu? Çfarë është ndërtuar këtu? Vila dhe apartamente për shitje, nuk ka resort, mesa di vetëm një hotel(mesaduket për të justifikuar lejen). Të gjitha lejet “Strategjike” kanë qenë Hotel shoqëruar me vila e apartamente. Po si mund ti dhurosh territor mu në vijën e ujit sipërmarrësve që të ndërtojnë shtëpi për shitje?
Bregdeti është pasuri e çdo shtetasi shqiptar, dhe duhet të shfrytëzohet vetëm për qëllime ekonomike.
Sot rrjeti dhe programet televizive janë të mbushura me reklama që njoftojnë shitje vilash dhe apartamente, “vetëm aq” e “vetëm kaq” metra larg nga vija e ujit. Kudo në bregdet, nga Velipoja, Shengjini, Tale, në Lalëz nuk ka mbetur më pemë në këmbë… e deri ne Ksamil, ndërtohet për shitje, vila e apartamente. Çfarë shërbimi i bëjnë turizmit këto? Pothuajse zero! I shërbejnë jetës së luksit atyre që kanë mundësi ta bëjnë.
Kur dëgjoj, jo resorti i madh, jo modeli turk e grek, kujtoj se në Turqi ka vërtet resorte gjigande. Janë në përmasat e një lagjeje qyteti, dhjetra hektarë, me disa hotele, vila, pishina, kinema, parqe pa fund, kënde lojrash, teatro e çdo gjë tjetër. Por janë vetëm në shërbim të turizmit, nuk ka aty pasunarë që jetojnë një javë në vit.
Ja, shikojeni foton e dytë. Eshtë një resort pikërisht në Turqi, 3,000 pushues e ka kapacitetin. Ndodhet në mes të pemëve dhe nuk ka banorë aty, ka vetëm pushues. Duhet të prenotosh në Mars-Prill për të pushuar në Gusht. Ky lloj zhvillimi që bëjmë ne nuk është zhvillim, por shkatërrim i aseteve natyrore të bregdetit, edhe aty ku nuk është zonë e mbrojtur, por është zonë që duhet ti shërbejë ekonomisë kombëtare.









