Nga Shpetim Nazarko
Nga një janari i vitit tjetër, qeveria do të detyrojë punëdhënësit për rrogën minimale. Ajo nuk mund të jetë më e vogël se 300 mijë lekë të vjetra. E natyrisht nëse industria më e madhe e vendit është ajo e lidhur me fasonerinë, kuptohet se puntorët e saj do të jenë dhe përfituesit më të mëdhenj nga kjo darovë e qeverisë.
Po a mund të jenë të kënaqur ata që kanë në dorë fasonerinë, apo ndryshe punëdhënësit? Qarkullon një e thënë, që nëse është e vërtetë, pa dyshim është nga më të rëndat e tridhjetë viteve të tranzicionit. Punëdhënësit do t’i binden në formë këtij urdhri të qeverisë, po në përmbajtje jo dhe aq shumë. Gjithnjë sipas kësaj të thëne, punëdhënësit do t’u japin në dorë punëmarrësve 300 mijë-lekëshin e urdhëruar dhe do t’u marrin nën dorë një 50 mijë lekësh. Dhe kështu, palët do t’i buzëqeshin të kënaqura njëra-tjetrës, po jo ata që i marrin me një dorë dhe i japin me tjetrën…
Thua është nga ato shakatë e këqija, që hidhen poshtë e përpjetë dhe vetëm gojët e liga i përhapin? Nuk vë dorën në zjarr, në është e vërtetë kjo histori, po ajo që shkruaj më poshtë, ndoshta shqetëson ndonjë që merret me hallet e këtij vendi, ca më shumë nga unë.
Ata që zënë popullsinë me punë nëpërmjet fasonerisë në vendet e varfra, natyrisht mbajnë veshët përpjetë si të lepurit, kur dëgjojnë për paga, apo për rritjen e tyre. Dhe kjo është e natyrshme. Ata kanë interes të kenë puntori me paga të ulta dhe sapo kërkesat për rritje rrogash ngrihen në horizont, zënë e mendojnë njëqind e ca mënyra të shpëtojnë nga kjo histori dhe nëse nuk gjejnë dot ndonjë prej tyre, mendojnë t’ia mbathin diku tjetër.
Plaku i vjetër Andreotti, më tregonte një histori dikur, kur ishte deputet i ri në Siçili dhe vendasit donin patjetër të instalonin një fabrikë që merresh me këtë kategori pune. – Iu luta shumë të mos merreshin me gjëra të tilla, po të shfrytëzonin sa më shumë diellin, detin e ullinjtë e blegtorinë – tha ai. Nuk më dëgjuan po mbajtën fabrikën, tek e cila, kur pronarët dëgjuan kërkesa për ngritje rroge dhe qeveria po ashtu, u ngriti taksat, ata morën fabrikën dhe e shpunë në Hungari, për të rifilluar lojën nga e para… Dhe në Siçili, vazhdojnë të jenë të varfër – psherëtiu ai.
Edhe ne jemi si në rastin që më shpjegonte Andreotti, por ndonjëherë, duhet thënë që çdo e keqe ka një të mirë, sipas popullit. Fasoneria e Shqipërisë ka tridhjetë vjet që është instaluar këtu. Pagat janë ato minimale, por thonë nga ana tjetër, që eksportet e saj janë dhe rritur. Dhe është e natyrshme. Nga halli apo malli, tani Shqipëria është e specializuar për punëra të këtij lloji. Folur me gjuhë të mirë, fasoneria është shndërruar në një aset kombëtar, nëse i referohesh kësaj ekperience kohore të gjatë.
Po vijmë prapë tek ai problemi i rrogës minimale dhe halli i punëdhënësve dhe i punëmarrsëve, dhe po ashtu dhe ai qeverisë, që ka urdhëruar prej janarit, rritjen e rrogave të punëtorëve të fasonerisë. Shembulli që do të marr, lidhet me ata që merren me prodhimin e këpucëve që prodhohen për këtu, apo për eksport. Ndryshe nga qeveria, unë besoj, se nuk e ka ajo në dorë rrogën minimale. Kush e ka?
Le të përpiqemi ta shpjegomë pak më gjatë, këtë histori. Jo për të zënë veshin me dorën tjetër, por për të kuptuar sa mundemi, se puna është pak më e ndërlikuar sesa e shohim me sy të parë.
Një sy i hedhur në qendrat e mëdha tregtare të Shqipërisë, të jep të kuptosh, se ke të bësh me qendra që në pamje të parë, janë në lulëzim dhe në pamje po të parë, të duket se nuk je në Shqipëri, po në një nga ato vendet më të lulëzuara të Evropës. Po nuk mjafton më shumë se një analizë njëminutëshe, për të kuptuar se je brenda një çmendurie kombëtare. Llogaria është e thjeshtë. Në simotrat e këtyre qendrave në çdo vend të botës, operohet me këtë formulë. Nga një deri në tetëdhjetë për qind e mallit për konsum (përjashto butikët), nuk duhet të ketë një çmim më të lartë se gjashtëdhjetë për qind e mesatares së rrogës ditore të punonjësit. Ndryshe, ndërmarrja është e falimentuar edhe për faktin e thjeshtë, se nuk sigurohet riqarkullimi i mallit. Term që ndryshe, do të thotë të mos kesh riprodhim të tij, apo akoma më thjeshtë, të mos të kesh punëtori që të prodhojë për të vazhduar të rishesësh… Shihin çmimet në qendrat tona tregtare dhe e bëjeni vetë llogarinë.
Kur një nga pronarët e tyre, po më tregonte tërë krenari njërën prej tyre, që ishte nderuar dhe me çmim botëror për arkitekturën dhe, edhe për këtë gjë, sapo e kish lëvduar edhe kryeministri i vendit, i thashë me trishtim atë që shkrova më lart. Hidhini një sy shumicës së qendrave të tilla, në Tiranë a nëpër Shqipëri. Vëruni re çmimet e shitjes dhe bëni llogarinë e mësipërme. Dhe nëse përtoni, belbëzoni duke thënë. Sa ditë pune i duhen një punëtori tek ne, të blejë një palë këpucë a një këmishë? Thua, na ndodh sepse jemi të varfër? Këtë e dimë? Po si i bëhet, të shpëtojmë nga kjo mënxyrë. I shoh pozitarë e opozitarë, duke premtuar si në pazare të gjësë së gjallë, që do të ngrenë rrogat për këtë e atë, po si do ta bëjnë, një zot e di. Që të rrisësh rrogat, duhet të vësh punëtorinë në punë, si fillim. Dhe pastaj, të kesh lëndë të parë të mirë e të lirë. Kjo shpie në çmime të mira e të lira. Për të bërë këpucë, duhet lëkurë. Këtë lëkurë e mbajnë në kurriz delet, a dhitë e lopët. Nëse lëkurën për këpucë e blen në Egjypt e jo në malet e Vlorës a të Kukësit, çmimi i këpucëve rritet, rroga e punëtorit mbetet në vend dhe e gjitha, të shpie në çmenduri kombëtare.
Rrogat e fasonerisë i ka në dorë xhaxha Tarja, pra, bariu dhe jo kryeministri. Po të investoje për blegtorinë në Vlorë e Kukës a Kolonjë, do të kishe lëkurë për to, mish e qumësh natyral për vendasit e turistët dhe mundësi të rrisje rrogat me lehtësi edhe për fasoneritë. Ndryshe, në rastin më të mirë, puna mban era shvejkizëm.
Një militant, do të thoshte: E mirë, po lëri këto komunizma, se nuk jemi në kohë të Enverit. Nuk i vë faj. Njëri prej atyre që donin të vinin themelet e shtetit pas 90-ës dhe ishte kryeministër, e njihte ekonominë e tij në praktikë dhe të kapitalizmit, vetëm në revista – thoshte duke u zgërdhirë…
E mo, se nuk e kuptoni ju. Jemi në kapitalizëm. Edhe barin, do ta blejmë nga Maqedonia, se është mall. Kështu që nuk kam pse t’i vë faj militantit… Të më shajë sa të mundë. Secili bën çfarë do e mendon.
Problemin e kam më të thjeshtë. Rrogat duhen rritur, po nga gjenden paratë? Të bëjmë sikur tua rrisim dhe t’u shkelim sytë pronarëve, që të bëjnë ata pjesën e tyre… Apo nuk ka gjë, se rrisim taksat diku tjetër…
Them se duhen lënë shakatë. Ta shohim, se duhet mbyllur cikli i prodhimit. Nuk them ta mbyllim si Hoxha, që donte nga minerali, të arrinte përpunim për të bërë raketa. Them, më thjesht. Nga delja të marrim mish e qumësht, për vete dhe turistët, e pastaj dhe lëkurën për të bërë këpucë, për vete e për të tjerët. Kemi rritur rrogën, pa marrë ndonjë vendim qeverie dhe do ndjehemi ca më mirë.
Për vete, mendoj se rrogën minimale e ka në xhep xhaxha Tarja, bariu i dhenve dhe jo kryeministri. E pandaj, ndoshta ia vlen të vemë të ulemi me të…Është më i rëndësishëm ai, nga i pari i vendit.
Ndërkohë që qarkullon një e thënë që, nëse është e vërtetë, është nga më të rëndat e këtyre tridhjetë viteve. Punëdhënësat u japin në dorë punëtorisë 300 mijë dhe u marrin pak më vonë, 50 mijë lekë./ konica.al