Sapo ka nisur seanca e shqyrtimit të kërkesës së Erion Veliajt për ta shpallur antikushtetues vendimin e shkarkimit. Ndiqeni live më poshtë:
Avokatët e Veliajt pretendojnë shkarkimi i tij është kryer “pa shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe antikushtetues”.
“Neni 115 i Kushtetutës është një normë me karakter kufizues për kompetencën e Këshillit të Ministrave: ky i fundit mund të shkarkojë kryetarin e bashkisë vetëm kur ekziston një ‘shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve’. Kjo është një garanci që Kushtetuta i jep mandatit të zgjedhur vendor, për ta mbrojtur nga ndërhyrjet arbitrare të pushtetit qendror”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Veliajt që kundërshtoi shkarkimin.
Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për disa vepra penale.
Më 23 shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin “Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”, me argumentin se “kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij”.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të shkarkojë Veliajn nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.









