“Studentët Denoncojnë” është një faqe e cila prej kohësh vepron në Instagram, ku shumë qartë kuptohet se cila është problematika që ajo trajton. Në emisionin e mëngjesit, sot në ‘KafeIn’, është trajtuar çështja e shkeljeve të shumta të pedagogëve në vendin tonë, të cilët i bëjnë kundrejt notave apo shërbimeve të caktuara.
Kështu, administratori i faqes tregoi disa shkelje të cilat ai tha se janë konkrete dhe jo vetëm kanë mbërritur si denoncime në faqen e tij, por ai i ka hasur edhe vetë, me mikesha të ngushta, duke siguruar për vërtetësinë e tyre.
Kështu, i riu, i cili ka preferuar të ngelej anonim, tregoi se njëra prej mikeshave të tij i ka dhënë plotë 700 euro një pedagogu, në mënyrë që ai ta kalonte në lëndën e tij. Rastet më ekstreme shkojnë deri në kërkimin e favoreve seksuale nga pedagogët në këmbim të një note më të lartë. Skandalet e tilla nuk mbeten vetëm në rang pedagogjik, por edhe të sekretariatit, të cilët nuk funksionojnë me korrektësinë e duhur.