Akademikja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi e cilëson absurde dhe të rrezikshme idenë e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti të Urdhrit Bektashi në Shqipëri. Duke folur një podcast me Arlind Qorin, kreun e Lëvizjes Bashkë, Ypi tha se ajo uron që ky propozim të zhbëhet sepse në të kundërt do të ishte një katastrofë cënimi i integritetit territorial të vendit. Më poshtë pjesë nga deklarata e saj.
“Jam aq e shokuar nga ky lajm sa nuk po i gjej sensin dhe nuk e kam kuptuar akoma që është thjesht për propagandë apo është diversion apo është vërtet ajo që thuhet se është. Se në qoftë se është vërtetë kjo është një katastrofë. Është cënimi minimal i integritetit territorial të një vendi për arsye që nuk janë as historike as juridike as nuk është se ka një protestë shoqërore që po i përgjigjet qeveria me një koncension. Sinqerisht më ka kapur në vështirësi. Nuk e kam kuptuar akoma sensin e këtij propozimi. Marrin shembull Vatikanin, por Vatikani ka një histori në raportin e vet me Italinë. Një nga tiparet e shtetit modern është sekularizmi, pra paanësia ndaj të gjitha feve. Si zgjedh shteti dhe e bën atë simbol të tolerancës fetare, nuk e kuptoj dot. Shpresoj që do ikë ky propozim. Përndryshe është një absurditet i jashtëzakonshëm dhe shumë shumë shqetësues. Më duket aq absurde që një shtet në vitin 2024 të krijojë këtë lloj padrejtësie midis feve të ndryshme”, deklaroi Lea Ypi. ©Argjiroja.net