Nga Dritan Hila
Në kushtet e izolimit dhe presionit psikologjik që sjell një kërcënim i pandalshëm, është logjike të besosh në profetë të rremë.
Ndërsa shtypi serioz botëror kur afron shifrat e humbjeve të jetëve, kujdeset që komentimin e tyra t’ua lërë ekspertëve, në rrjet janë bërë virale personazhe që kultivojnë teoritë e komplotit nga më të fandaksurat dhe deri tek ato që e trajtojnë si një grip të zakonshëm.
Shëronjësit shëtitës që përshkruante dikur Mark Twain në tregimet e tij nuk ndryshojnë shumë nga ekspertët e Facebook-ut në ditët tonë, fakt ky që budallallëku ka një konstante. Por nëse shëronjësit e Twain-it e shumta të linin pa dhëmbë pasi kishe pirë lëngjet e tyre çudibërëse, profetët e internetit të lënë pa kokë.
Dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as portalet e bulevardit. Secili ka pasur rast të lexojë një të tillë: Policë të pushuar nga puna që bëjnë statisticienin; avokatë të papunë që parashikojnë skenarë apokaliptikë; doktorë të rrjedhur që u ka ardhur momenti i shpagimit dhe tregojnë cila është rrugëdalja sipas tyre, e gjithfarë sharlatanësh të tjerë. Viktima të kësaj mëndjelehtësie dhe injorance janë nga adoleshentët italianë që kanë dënuar me vdekje gjyshërit e tyre; një fshat iranian që ka bërë vetëvrasje pa vetëdije dhe nuk do të vonojë edhe atë të markës shqiptare.
Ndërkohë kjo krizë është e pashembullt në llojin e saj. Që nga ekscentrikë si Johnson apo udhëheqës me këmbë në tokë si Merkel, janë trembur. Kanë kaluar kombet e tyre në karantinë dhe janë në momentet kur po tarojnë masat që duhet të marrin sipas përshkallëzimit.
Pjesë e kësaj sjelljeje është edhe Shqipëria. Nga pakujdesia apo padituria ne humbëm ditë të çmuara në marrjen e masave të izolimit.
Në vend që të bllokonim hyrje-daljet, u morëm me teoritë e hudhrës dhe rakisë e deri në mufka të tipit që OBSH-ja po studionte pse nuk i zë shqiptarët.
Për fat tani shumjca janë trembur, përfshirë qeverinë. E mira është që mos të dëgjojnë gjithfarë psikopatësh dhe mitomanësh që qarkullojnë në rrjet por t’u besojnë specialistëve dhe doktorëve të certifikuar të fushës.
Ditë më të këqija janë përpara. Por karantina është e vetmja masë që do të na shpëtojë. Ajo do të ngadalësojë valën e infektimit dhe mbi të gjitha do t’i japë kohë sistemit spitalor të përballojë fluksin e të prekurve duke e shtrirë kurbën e tyre në një kohë më të madhe.
Një fluks i menjëhershëm rrëzoi Italinë, dhe nuk do të vonojë të godasë edhe vende të tjera. Edhe ne. Kjo është një luftë që do ta përballojmë vetëm. Dhe si e tillë duhet t’u besojmë doktorëve dhe jo xherahëve që pjell rrjeti. Përndryshe kur t’ju vijë e keqja në derë, mos shkoni në spitale, por te kush bën nuska./dritare.net