Katër shqiptarë dhe një pakistanez janë arratisur në mënyrë spektakolare nga një burg grek, duke sharruar kangjellat e dritares së qelisë së burgut dhe duke shembur më pas një mur.
Por arratisja e tyre ka zgjatur vetëm 14 orë. Policia greke afër mesnatës ka mundur të arrestojë 4 nga 5 të arratisurit. Personi që ende nuk është kapur është një shtetas shqiptar me precedent të theksuar kriminal. Arratisja e shqiptarëve ndodhi në momentin kur po transferoheshin nga një burg në Athinë për në Hania.
ARRATISJA
Pesë të dënuarit, disa prej të cilëve për vepra të rënda penale, ishin në një stacion policor gjatë transferimit në një burg rural. Ata u transferuan nga Athina të shtunën e shkuar dhe gjatë ditës së djeshme do të dërgoheshin për të vuajtur dënimin në qendrën e paraburgimit në Chania në rrethin e Kretës, por gjatë orëve të natës kanë arritur të arratisen.
Pesë të dënuarit arritën të arratiseshin nga një dritare e vendosur në ambientet e tualetit të qendrës së paraburgimit të Komisariatit të Policisë Chania.
Sipas mediave helene, arratisja ka ndodhur pak pas orës 2 të mëngjesit të djeshëm. Të dënuarit kanë arritur të sharrojnë hekurat e dritareve dhe nëpërmjet tyre kanë mundur të thyejnë një pjesë të murit. Më pas ata kanë shkuar në oborrin e Drejtorisë së Policisë dhe kanë kërcënuar efektivët e Policisë, duke u larguar në drejtim të paditur.
Ata kanë arritur të neutralizojnë si punonjësit e brendshëm të sigurisë, ashtu edhe ata të jashtëm. Tre nga pesë të dënuarit janë ata që kanë sharruar hekurat dhe kanë thyer një pjesë të murit. Mediat greke shkruajnë se të burgosurit ishin dënuar për krime të rënda si vrasje, grabitje dhe trafik droge.
KUSH JANË 5 TË DËNUARIT
Të pestë të dënuarit konsiderohen nga autoritetet greke me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi janë të përfshirë në krime të rënda, që nga trafiku i drogës e deri te grabitjet me pasojë vdekjet.
Mes personave të arratisur është edhe një shqiptar, i konsideruar si një nga anëtarët e rëndësishëm të grupit kriminal të grabitjeve në Atikë, në përbërje të të cilit janë 17 persona. I rrezikshëm konsiderohet edhe një 34-vjeçar pakistanez, i cili është dënuar me tri burgime të përjetshme për tri vrasje.
Tre shtetasit e tjerë shqiptarë janë dënuar për trafik droge. Midis shqiptarëve të arratisur, është Olis Prifti, 43 vjeç, nga Dropulli, i arrestuar në vitin 2016, i dënuar me burgim të përjetshëm për “Pjesëmarrje në grup kriminal”, “Grabitje”, “Grabitje me pasoje vdekje”, “Vjedhje”, etj. I arratisuri i dytë është Mateo Barjami, 29 vjeç, banues ne Mollas, Kolonjë, i dënuar me 20 vite burg për trafik droge.
Gjithashtu, është arratisur shqiptari Ardian Meta, nga Divjaka, 32 vjeç, i dënuar me 24 vite burg për grabitje, pjesë e grupit të Olis Priftit, si dhe Bledar Frroku, 34-vjeç, nga Lezha i dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg dhe 30.500 euro gjobe për “trafik droge”.
Të dënuarit që transferohen ne burgje rurale, ku edhe kanë të drejtë të punojnë, si ai i Agias, janë persona që kanë kryer 8 vite burg në rast dënimi me burgim të përjetshëm “Isovia”, ose ata që kanë kryer 1/ 5, për dënime mbi 10 vjet. Gjithashtu, nevojitet që të ketë marrë të paktën 1 herë leje nga burgu dhe të jetë kthyer, si dhe të ketë pasur sjellje të mirë.
Vranë të moshuarën, i arratisuri pjesë e bandës famëkeqe
Njëri nga shqiptarët e arratisur nga stacioni policor në Greqi konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë. Olis Thoma Prifti është një nga 16 shqiptarët e një grupi kriminal që merrej me grabitje të shumta në zonën e Atikës, duke mos kursyer as dhunën me pasojë vdekjen e një të moshuare greke.
Grupi kriminal përbëhej nga 17 persona, vetëm njëri prej të cilëve ishte grek. Grupi u godit nga Policia helene në fillim të vitit 2016, duke i akuzuar për dhjetëra grabitje, kryesisht ndaj të moshuarve.
Në një rast, në Melissia anëtarët e grupit goditën me grushte për vdekje një 84-vjeçare greke.
Sipas hetimeve, të arrestuarit që nga viti 2014 kishin formuar një grup kriminal që kryente grabitje, në mënyrë veçanërisht të dhunshme, si dhe vjedhje nëpër banesa.
Të arrestuarit kishin role të dallueshme në organizatën kriminale dhe pajiseshin me mjete të posaçme për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme, si kapuça, doreza, vegla etj.
Në veçanti, anëtarët e grupit kriminal organizuan aksionin e tyre, duke lokalizuar fillimisht, në zona të ndryshme të Atikës, shtëpi në të cilat banonin të moshuar. Më pas futeshin brenda shtëpive në orët e para të mëngjesit, kur viktimat ishin brenda.
Më pas ata janë kërcënuar me armë ose sende të mprehta dhe në shumë raste kanë ushtruar dhunë, duke shfaqur mizori ekstreme, duke i goditur me grushte në kokë dhe në trup, për të treguar vendin e fshehjes së parave.
Në rastet e vjedhjeve, zakonisht autorët lokalizonin vila të izoluara që nuk kishin alarme apo dyer sigurie dhe më pas, pasdite dhe natën, hynin brenda tyre.
Për të shmangur arrestimin, nuk kanë hezituar të përdorin armët, siç ndodhi më 10 mars 2016 në Peristeri, ku qëlluan me armë drejt Policisë.