Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro e disa ish-zyrtar të tjerë lidhur me tjetërsimin e pronave në favor të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka. Goro akuzohet nga SPAK për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, teksa u arrestua në muajin mars të këtij viti.
Denoncimin në SPAK e bëri fillimisht kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri dhe Goro u arrestua disa ditë më vonë. Goro u arrestua me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.
Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Ndërkohë më 3 korrik Prokuroria e Posaçme kërkon një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e Himarës. SPAK ka zbritur prej tre ditësh në gjykatë kërkesën për masë ndaj Goros si dhe atë për sekuestro të 4900m2 tokë që është përfituar nga kryebashkiaku i sapokomanduar i Himarës Arqile Bollano.