Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Toni Gogu në një dalje mediatike ka krahasuar konceptin e kundërt që sipas tij ka maxhoranca dhe opozita për drejtësinë.
Duke sjellë në vëmendje komentet e demokratëve për drejtësinë e kapur nga pushteti apo etiketimet ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit që prej majit të 2021, Gogu tha se ndryshe nga demokratët, socialistët “qepin gojën ” para vendimeve të institucioneve të drejtësisë.
“Shqiptarët sot kanë një sistem drejtësie i cili është për herë të parë i çprangosur nga fuqia e pushtetit ekzekutiv. Nëse paraardhësi i Ramës është sot pas penxheres për shkak se hetohet pse ka shkelur ligjin dhe kur shkelte ligjin ai ose bashkëpunëtorët e tij shkonte dhe ndërhynte në organet e drejtësisë dhe organet e drejtësisë bënin siç thoshte ai dhe për këtë arsye SHBA i thotë për ne je i padëshiruar.
Nderkohe sot kemi një shumicë socialiste e cila qep gojën dhe kur ata vijnë dhe thonë filan fisteku hajde këtu se do japësh llogari për këtë shkelje, ne heshtim dhe mbështesim me ligje me buxhet, me pavarësi dhe me kompetenca qê ata të bëjnë punën.
E bëjmë këtë sepse para ligjit duhet të jemi të gjithë të barabartë siç e thotë Kushtetuta. Ne nuk komentojmë as vendime gjykatash as punët e drejtësisë, ne qepim gojën, votojmë që ata tê jenë tërësisht të pavarur dhe për ato vendime që nuk na pëlqejnë mbyllim gojën, dhe nuk hipim as majê ballkonit edhe nuk shtrihemi as në bulevard, duke bërë shqiponjën.”- u shpreh Gogu.
Deklarata vjen në një kohë kur në qarqet politike po aludohet për një marrëveshje mes palëve për rikthimin e funksionimit normal të parlamentit dhe rikthimin e opozitës në komisionet parlamentare.