Qytetarët që kërkojnë të marrin një nga shërbimet që ofron Agjencia e Kadastrës nuk kanë përse të paraqiten fizikisht pranë sporteleve, por mund ta bëjnë ‘online’, e madje me procedurë të përshpejtuar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka lançuar metodën e re të aplikimeve, e cila ka nisur të implementohet tashmë që në muajin e kaluar, duke regjistruar më shumë se 30 mijë aplikime ose kërkesa nga lëshimi i kopjes së kartelës së pasurisë, certifikatës së pronësisë, kontratës së dhurimit e deri te regjistrimi i kontratave të reja të pasurive. Së fundmi, qeveria shqiptare ka vendosur t’i japë një shtysë të mirë procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke angazhuar edhe pushtetin vendor për të lehtësuar këtë proces. Në kuadër të digjitalizimit, edhe mekanizmat e shërbimeve ‘online’ përmes portalit qeveritar janë një tjetër mjet për lehtësimin e punës së qytetarëve dhe shmangien e dyndjeve në sportele fizike.
APLIKIMI
Qytetarët tashmë pajisen në një kohë shumë të shkurtër me dokumentacionin e nevojshëm në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke përdorur metodën Fast Track. Kadastra shqiptare bën me dije se vetëm gjatë muajit tetor, rreth 30 mijë aplikues në të gjithë Shqipërinë kanë përfituar shërbimin e kërkuar me procedurë të përshpejtuar. Ky aplikim mund të kryhet lehtësisht nëpërmjet portalit ‘e-Albania’, duke përzgjedhur shërbimin që përmban kodin “PP” para emërtimit. Sipas Kadastrës, qytetarët duhet të bëjnë kujdes që të plotësojnë të dhënat e kërkuara gjatë aplikimit, si dhe të ngarkojnë në formatin “PDF” dokumentacionin e nevojshëm.
Afati i ofrimit të shërbimit fillon nga momenti i konfirmimit të pagesës. Lista e shërbimeve kadastrale që ofrohen me procedurë të përshpejtuar janë: lëshim kopje kartele të pasurisë, lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale, lëshim certifikate pronësie, regjistrimi i kontratës së shitjes, regjistrimi i kontratës së dhurimit, regjistrim i kontratës së shitjes, shkëmbimit, ose dhurimit, me rezervë/kusht të pasurisë së paluajtshme, regjistrimi i kontratës së hipotekës.
Ndërkohë për t’u pajisur me kopje të vërtetuara të dokumentacionit të pronës mjafton të kërkohet në “e-Albania” shërbimin: “Aplikim për kopje të vërtetuara të dokumenteve teknikoligjore, në të cilat bazohet Regjistri i Pasurive të Paluajtshme/faqe. Plotësohet formulari elektronik me të dhënat që kërkohet dhe ngarkohet sërish ‘online’ në formatin PDF, ku të përcaktohet prona dhe dokumentacioni që kërkohet si dhe mandati i pagesës së tarifës së shërbimit. Pas kryerjes së aplikimit, Kadastra nënvizon se duhet pritur shërbimi postal për kthim-përgjigjen e aplikimit të kryer, në të cilin gjenerohet dokumenti me vulë dhe firmë elektronike.
SHËRBIMET KADASTRALE ME PROCEDURË TË PËRSHPEJTUAR:
PP-Lëshim kopje kartele të pasurisë
PP-Lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale
PP-Lëshim certifikate pronësie
PP-Regjistrimi i kontratës së shitjes
PP-Regjistrimi i kontratës së dhurimit
PP-Regjistrim i kontratës së shitjes, shkëmbimit, ose dhurimit, me rezervë/kusht të pasurisë së paluajtshme
PP-Regjistrimi i kontratës se hipotekës për garantimin e
kredisë se dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlere mbi 10 000 000 lekë
PP-Pasqyrim i bashkëpronësisë bashkëshortore në regjistrimet e mëparshme
PP-Regjistrimi i sekuestros mbi pasurinë
PP-Regjistrimi i heqjes dorë nga pronësia
PP-Regjistrimi i kontratës se hipotekës për garantimin e
kredisë se dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlere deri në 1.000.000 lekë
PP-Regjistrim i kërkesë padisë
PP-Regjistrim i kontratave të tjera të hipotekës