Nga Ilir Yzeiri
Në qoftë se do të kishim mundësitë që të masnim realisht pëlqimet e publikut për emisionet politike që organizohen në formën e debateve me të ftuar dhe që alternohen edhe me shfaqje të tjera nga bota e spektaklit, mund të thoshim pa frikë se këtë javë e fitoi « Zona e Lirë » e Arjan Çanit. Ai i mundi dy formatet e tjera simotra : « Opinion » të Blendi Fevziut dhe « Open » të Eni Vasilit me një zgjidhje thellësisht profesionale që vetëm një gazetar me përvojë si Çani mund ta bëjë.
Dy emiosionet e tjera kishin zgjedhur të ripromovonin formatin « spazzatura » apo « bullsheet » apo formatin që në shqip mund të quanim emision ku flitet për mbetjet e rrezikshme të të folurit njerëzor, ku promovohet fyerja, sharja ku opinioni agresiv i gazetarëve shitet për opinion publik, ku ideologjia rrënuese e partive politike nxirret në treg si lajm i fundit dhe ku e vërteta apo përfundimi nuk arrihet nga shkëmbimi i të dhënave, por nga mediokriteti fatal dhe tragjik i drejtuesve të cilët nuk kanë asnjë referencë, por, ashtu si ata tifozët në një ndeshje boksi i nxisin palët se ku ta qëllojnë kundërshtarin.
Edi Rama në emisionin e Fevziut nuk ishte thirrur për t’u dëgjuar si kryeministër por dukej sikur e kishte thirrur Fevziu në një cep pallati për t’u sqaruar për një muhabet dhe aty i kishte nxjerrë edhe shokët. Mund të ishin vrarë në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë Berisha me mesazhe që t’i ndante. Një nga miqtë e mi ngul këmbë se Fevziu sa herë e sheh që Ramës i bie pëlqimi në publik, e thërret dhe me emisionin e tij Rama jo vetëm që ngrihet në sondazhe, por i bind të gjithë se është i pakonkurueshëm.
Ndërsa në emisionin tjetër të Eni Vasilit ishte e ndaluar të flisje për skandalet e presidentit dhe si gjithmonë drejtuesja i orientonte të ftuarit se ku duhet ta qëllonin njëri-tjetrin. Ky mishmash klithmash e sharjesh jo vetëm që është bërë i neveritshëm, por po kthehet dalngadalë në një komedi. Nuk do të jetë e largët dita kur të gjithë do të themi se sot në darkë kemi gallatë te Fevziu apo te Eni. I vetmi konkurent i tyre shumë shpejt do të jetë « Portokallia »
Ndërkaq në emisionin tjetër të formatit të madh që ka krijuar traditën e së premtes, pra në « Zonën e Lirë » të Arian Çanit, ishin vënë përballë lideri i opozitës Lulëzim Basha me një nga gazetaret më të mira në vend që mbulon ekonominë dhe që drejton revistën « Monitor », me Ornela Liperin. Liperi ka vite që ka krijuar profilin e gazetares serioze, thellësisht profesioniste dhe që ka si karakteristikë të stilit të saj interpretimin e të dhënave.
Publikimet e saj që u referohen besnikërisht të dhënave dhe vetëm të dhënave janë të vetmet lajme reale që botohen në këtë vend dhe të vetmet informacione të besueshmë të zhveshura nga të gjitha ndikimet politike. Në opinionin tim, Ornela Liperi, e vetme, është disa herë më e besueshme dhe më profesionale se organizata BIRN dhe analizat e saj, të cilat sidomosa kohët e fundit, janë bërë jo vetëm të njëanshme, por edhe pa asnjë ekspertizë. Ndaj Çani, me intuitë gazetareske dhe ndoshta pa asnjë preferencë tjetër, kishte zgjedhur të vinte liderin e opozitës të cilën ai edhe e përkrah, përballë një gazetareje të ekonomisë me qenë se Lulëzim Basha ka filluar të shfaqet në publik si reformator i madh i saj. Mirëpo, përballja me Ornela Liperin jo vetëm që na zbuloi një lider të paaftë, por, për më tepër, edhe jo të sinqertë dhe manipulues. Kush dëshiron mund ta ndjekë këtu një pjesë të bisedës : (http://www.gazetatema.net/2020/10/16/si-do-e-clirosh-me-700-mije-leke-taksa-basha-perplaset-me-gazetaren-sdalin-llogarite-liperi-kam-pare-faturat-asnje-biznes-spaguan-kaq/)
Nga kjo bisedë kupton jo vetëm që Basha flet pa asnjë kontroll, pra lëshon vetëm lumë fjalësh dhe nuk ka asnjë referencë, por ai nuk është i qartë se çfarë do të bëjë. Gazetarja me fakte i thotë që ato biznesë që ai do të taksojë nesër kjo qeveri i ka bërë zero sot. Po Basha ka përgjigjen epike që hajde dalim në rrugë dhe pyesim bisneset se si taksohen. Mirëpo, më e rënda është se ky model politikani që nuk mbështetet mbi të dhëna dhe nuk ndjek asnjë këshillë nga ata shumë profesionistë që ka PD-ja për ekonominë, na bind gjithnjë e më shumë se në këtë kohë ai po kërkon me forcë humbjen e tij e cila duket e sigurtë.
Ndaj Arian Çani edhe pa dëshirën e tij, ndoshta, i bëri publikut një shërbim të vyer duke i vënë përballë liderit të « butë » « europian » opozitar një gazetare profesioniste. Në fund të asaj përballjeje të gjithë u bindëm për fuqinë reale që ka media kur formati ndërtohet me paanësi dhe nga profesionistë. Ndaj këtë javë si dhe shumë të tjera, e fitoi me meritë Arjan Çani./ TemA