Nga Bledi Lumani
Të dy janë në opozitë me Edi Ramën dhe duan ta rrëzojnë nga pushteti. I pari, si kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. I dyti, si… president i Republikës!
Por, ndërsa i pari shfaqet si një politikan normal, i dyti, në mënyrë paradakosale, edhe pse është president, ka ditë që del e ulëret nëpër televizione, ndërsen zëdhënësin e vet kundër mediave e gazetarëve, kërcënon se do shkojë në Parlament, e plot marrëzira të tilla. Sjellja e të dyve duket një anomali e pashpjegueshme.
Normalisht, pas votimit të fundit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, ai që do të duhej të sillej agresiv, të paktën në dukje, ashtu si dhe kanë kërkuar aleatët e vet, është Lulzim Basha, pasi me heqjen e koalicioneve parazgjedhore, do të jetë e vështirë ta mundin Edi Ramën.
Por, me përjashtim të një deklarate të “butë”, Lulzim Basha nuk është marrë më me këtë çështje dhe ka vijuar takimet e tij për fushatën zgjedhore, duke e anashkaluar atë që ka ndodhur në Kuvend dhe duke u sjellë si kryeministër i ardhshëm, që ka zgjidhjen për çdo problem të vendit.
Krejt e kundërta ka ndodhur më Ilir Metën, që ka kohë që e ka humbur “qetësinë dhe dashurinë”, dhe tani frymëzohet nga Avni Rustemi e Vojo Kushi.
Protagonizmi i tij i paprecedentë politik për një president, që del e sillet si një kamikaz politik, sipas kundërshtarëve të tij, shpjegohet me frikën nga reforma në drejtësi.
Edi Rama madje e thelloi këtë aludim, duke folur për takime të Metës, me personazhe të botës së krimit, që po “goditen” nga OFL-ja.
Argument që në fakt qendron, pasi Ilir Meta është shfaqur publikisht si kundërshtar i reformës në drejtësi, me pretendimin se ajo po përdoret nga mazhoranca, për kapjen e sistemit të drejtësisë, me qëllim goditjen e kundërshtarëve, një prej të cilëve mund të pikërisht ai, Ilir Meta.
Por, kjo “çmëndja” e tij e fundit, vështirë të shpjegohet vetëm me frikën. Ka diçka më shumë.
Ilir Meta e sheh që LSI është në momentin e saj më të vështirë, pasi e mbetur pa pushtet dhe pa vende pune, nuk ka më çfarë t’iu ofrojë votuesve të saj.
Ata që kaluan tek LSI-ja nga PS apo PD për një vend pune, tashmë janë rikthyer në “bazë” dhe sondazhet e nxjerrin shumë keq partinë e drejtuar nga Monika Kryemadhi.
Për më tepër, me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe me heqjen e koalicioneve parazgjedhore, LSI e humbet ndjeshëm fuqinë e saj, pasi nuk do të ketë mundësinë që të marrë votat e mbetura nga partitë e tjera të koalicionit, si partia e dytë më e madhe e koalicionit, siç ndodhi me PS-në në 2013, që solli një rritje të ndjeshme të numrit të deputetëve të kësaj partie.
Me një parti drejt shuarjes dhe me mandatin e presidentit që i përfundon shumë shpejt, Ilir Meta do të ishte një politikan pa asnjë peshë.
Ndaj ai është duke luftuar fuqishëm, që kur t’i përfundojë mandati i presidentit, të mos jetë thjesht një ish-president në pension, por një faktor ende i rëndësishëm politik, jo vetëm për të marrë përfitimet e përhershme, por edhe për të pasur imunitet nga ajo që i trembet më shumë, ndëshkimit nga reforma në drejtësi.
Është duke luftuar për mbijetesën e tij, ndaj është “çmendur”, ndryshe nga Lulzim Basha, që shfaqet kaq i qetë, pasi edhe nëse i humbet zgjedhjet e prillit, të paktën nuk ka kush e zbon nga PD-ja./ TemA