Nga Mero Baze
Shqipëria dhe Greqia ranë dakord të zgjidhin në Gjykatën Ndërkombëtare çështjen e kontestuar të ndarjes së kufirit detar, pas anulimit të marrëveshjes Berisha- Karamalis nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Bisedimet e rinisura nga pala shqiptare, përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe atij grek Nikos Kotzias, u ndërprenë, pasi të dy ministrat u shkarkuan dhe u zëvendësuan nga kryeministrat përkatës, që emëruan ministra në detyrë.
Në atë kohë pala greke shpërndau versionin se Bushati u shkarkua nga Edi Rama, pasi kishte negociuar me Niko Kotzias, një marrëveshje në favor të Greqisë. Për këtë i referoheshin vetë deklaratave të Kocias.
Gazeta Liberale.gr në Greqi, shkruante se Rama “ u kujdes të mënjanonte nga qeveria e tij Ditmir Bushatin, ministrin e Jashtëm, i cili ishte në bisedime me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, sipas të cilit, ishte bërë përparim i madh. https://www.liberal.gr/diplomacy/o-tourkikos-daktulos-sta-tirana-kai-i-boulisi-rama-gia-aoz/307303
Gazetari lë të kuptojë se përparimi mes Kotzias dhe Bushatit nuk ishte në një vijë me perceptimin e zyrës së kryeministrit për marrëveshjen e mundshme. Më tej akoma ai aludon se pas shkarkimit të Bushatit, qëndron Turqia, e cila në mendjen e shumë politikanëve grekë, ashtu si në mendjen e Berishës, perceptohet si roja jonë kufitare e kufirit detar me Greqinë.
Në Shqipëri ky debat është shmangur dhe Bushati nuk ka shpjeguar kurrë publikisht se deri në çfarë pike shkuan bisedimet me Greqinë dhe ku ndryshonte parimi që ai po negocionte, me parimin me të cilin Berisha kishte nënshkruar marrëveshjen që hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese.
Tani që çështja ju delegua Gjykatës Ndërkombëtare, palët janë të çliruara nga debati politik rreth vijës kufitare detare dhe pala shqiptare akoma më shumë mbetet e çliruar nga çdo detyrim që ka me palën greke, përveç respektit për pakicën greke në Shqipëri, i cili nuk mungon.
Pala greke mbetet të plotësojë premtimin e saj për heqjen formale të ligjit të luftës me Shqipërinë, i cili po shërben më shumë si një atavizëm helmues i raporteve mes dy vendeve, pasi realisht ai është tejkaluar me Traktatin e Miqësisë mes dy vendeve të vitit 1996 dhe raportet mes dy vendeve si anëtare të NATO-s.
Por realisht problemi kryesor i Greqisë është vija kufitare detare me Shqipërinë, jo për ato paranojat shqiptare të 12 miljeve, por për shkak se ajo është në prag të një konflikti të hapur ushtarak me Turqinë, për një çështje të ngjashme.
Ajo ndërkohë ka zgjidhur problemin me vijën kufitare detare me Italinë dhe Egjiptin. Me Italinë ata i janë përmbajtur marrëveshjes së vitit 1977 për shelfin kontinental, që ka parim vijën e mesme të korrektuar.
Turqia kërkon të njëjtin parim, por në kushtet kur ishulli i fundit grek është nën 12 milje më afër me bregun turk, ky parim është i papranueshëm nga Greqia dhe çështja po shkon drejt konfliktit ushtarak.
Për këtë arsye Greqia është e lumtur që çështja e kufirit me Shqipërinë të shkojë në Gjykatë Ndërkombëtare, ndërkohë që në Shqipëri nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese të certifikojë çdo vendim politik.
Me çuarjen në Gjykatë Ndërkombëtare, Greqia shmang paranojën që ka ashtu si dhe Berisha, që ne ndikohemi nga Turqia në vendimet rreth vijës kufitare me Greqinë. Duke e çuar në Gjykatë Ndërkombëtare, Greqia kërkon ta heqë nga mendja këtë skenar.
Edhe sot shtypi grek shkruan se në Pasha Liman në Vlorë janë instaluar luftanijet turke që të “mbrojnë” vijën detare shqiptare. Natyrisht kjo është një përrallë, por që në rastin konkret, ka bindur grekët të shkojnë në Gjykatë Ndërkombëtare.
Nga ana tjetër Greqia shpreson që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare dhe parimi që ajo do përdorë për të gjykuar kontestin shqiptaro- grek për vijën kufitare, t’i imponohet dhe Turqisë në të ardhmen.
Për këtë arsye Greqia nuk është e interesuar të bëjë debat edhe me Shqipërinë për këtë çështje, përderisa nuk ka ndonjë konflikt të hapur me të. Ajo synon ta izolojë debatin për kufirin vetëm me Turqinë, për të ndarë Perëndimin pro dhe kundra saj.
Dy probleme me kufijtë, do ta bënin më të dobët pozicionin grek përballë Turqisë dhe kjo është arsyeja që ata ndjehen mirë që çështja e Shqipërisë t’i kalojë Gjykatës Ndërkombëtare.
Ajo ka nevojë reale për zero probleme me Shqipërinë, pasi ka prioritet krizën turke, që është reale. Krizat me Shqipërinë kanë qenë gjithnjë për konsum politik. Në Shqipëri mbajnë gjallë Vangjel Dulen dhe Shpëtim Idrizin, ndërsa në Greqi kanë pas mbajtë gjallë “Agimin e Artë”. Tani “Agimi i Artë” ka dalë jashtë ligji kurse Dulja e Idrizi janë futur bashkë në një koalicion me Lulzim Bashën. Kështu që nuk ka nevojë askush të ushqehet me kriza artificiale./ TemA